Botë
Kosovë, 16 vite nga “Masakra e Reçakut”
15.01.2015 18:00
Në Reçak të Kosovës, u shënua 16 vjetori i masakrës së 45 civilëve nga regjimi i Millosheviçit...

Çdo 15 janar, banorët e Reçakut dhe shqiptarët në përgjithësi kujtojnë me dhimbje tmerrin që filloi orët e hershme të atij mëngjesi të janarit të viti 1999, kur fshati Reçak i Shtimes u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe, të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.
Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, rreth orës 6.30 minuta, forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin dhe më pas kanë bastisur të gjitha shtëpitë, duke vrarë, torturuar dhe therur civilë në mënyrën më barbare, në mesin e tyre gra dhe fëmijë.
Njëri nga burrat e mbijetuar që i morën për t’i ekzekutuar në një gropë në “Kodrën e Bebushit”, tregon se si ia vranë djalin përpara syve.
“Më 15 janar, atë ditë kam qenë në shpi kur na kanë tubuar serbët në shtëpi të Sadik Xhemës, “Medihit Osmani” thirret aty, jemi tubuar 24 në një vend, na kanë çuar te “Kodra e Bebushit” thirret, qysh në 4 të akshamit, policët na kanë çuar afër, donin të na masakroni, por kanë gjuajtur, pastaj edhe 24 në vend i kanë lënë. Unë e kam kapë djalin për dore edhe kam rënë në krah, ai zbrazi në mua, por unë shpëtova dhe djali im vdiq në vend, para meje, me disa shokë, kushërinj, të gjithë të fshatit, të gjithë të një gjaku kemi qenë. E mbaruan punën dhe ikën menjëherë. Çka kam parë aty, mërzitem fort, por kur po ju shoh juve, sa njeri ka ardhur te fëmija, po bëj gajret fort”- deklaroi një i mbijetuar i masakrës.
“Në Smilovë kam qenë unë, kam parë të mbuluar me qebe edhe në televizor edhe në gazetë, qeben e kam njohur. Pa kokë ka qenë, tmerr ka qenë për mua”- tha një e mbijetuar e masakrës.
“Dhimbja është sikur atë ditë, gjithmonë ka me qenë e njëjtë, me humb anëtarë të familjes, vëllezërit edhe babën është keq shumë”- theksoi një i mbijetuar i masakrës.
Kjo masakër tmerroi jo vetëm shqiptarët, por edhe gjithë botën. Një ditë pasi kishte ndodhur masakra në Reçak, ishshefi i misionit të OSBE-së z. William Woker , shkoi për të parë nga afër këtë ngjarje të tmerrshme.
Woker, derisa po i afrohej luginës së ngushtë, u tmerrua nga ajo që pa dhe deklaroi: “Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për jetën kanë vrarë këta njerëz, që mua më duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu”.
FARIJE DAUTI-BAKIU
