Kiev, Zelenski urdhëron evakuimin e Donetsk-ut
Presidenti ukrainas Volodymir Zelenski...

Presidenti ukrainas Volodymir Zelenski ka ftuar banorët e Donjeckut për evakuim të detyrueshëm. Autoritetet e këtij vendi njoftuan gjithashtu se këtë dimër në këtë rajon nën kontrollin e Ukrainës nuk do të ketë ngrohje për shkak të rrjetit të shkatërruar të gazit.
“Qeveria mori një vendim për evakuimin e detyrueshëm nga rajoni i Donjeckut. Ju lutemi evakuoni, në këtë fazë të luftës terrori është arma kryesore e Rusisë” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Moskë, marina ruse do të marrë raketa supersonike
Moska ndërkohë ka konfirmuar se Marina ruse do të marrë raketa supersonike “cirkon”. Në fjalimin me rastin e ditës së marinës ruse, presidenti rus Vladimir Putin tha se nënshkroi doktrinën e re të Marinës ruse.
“Pajisja e forcave të armatosura ruse me këto raketa do të fillojë në muajt në vijim. Fregata “Amiral Goreshko” do të jetë e para që do të shkojë në misione luftarake me këtë armë të frikshme. Aftësia e Marinës Ruse është thelbësore” – u shpreh Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Ndërkohë, Ukraina kërkoi hetime ndërkombëtare për vdekjen e mbi 50 të burgosurve ukrainas për të cilët Kievi thotë se ata vdiqën nga një sulm rus. Por Rusia demanton ta ketë sulmuar burgun dhe për këtë e fajson Ukrainën. OKB dhe Kryqi i Kuq pritet të hetojnë rastin e vrasjes së të burgosurve.
Ndërkohë autoritetet ukrainase kanë raportuar se qyteti jugor i vendit, Mykolaiv ka qenë cak i bombardimeve “masive” ruse gjatë natës së kaluar. Nga sulmi u vra një nga njerëzit më të pasur të Ukrainës, Oleksiy Vadatursky dhe gruaja e tij Raisa, tha guvernatori i zonës.
Poashtu është shkatërruar një hotel, një kompleks sportiv, dy shkolla, një servis, si dhe disa banesa. Rusia ka anuluar festimet e Ditës së Marinës në Krimenë e pushtuar nga frika e ndonjë sulmi nga Ukraina. (Naim Sinani, TVM2)
