Tensionet në Veri të Kosovës, Qeveria Kurti shtyn për më 1 shtator reciprocitetin
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim....

Pas kërkesës së ambasadorit të SHBA -ve në Prishtinë, Jeff Hovenier, Qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë për më 1 shtator zbatimin e vendimit për reciprocitetin me Serbinë.
Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës disa minuta para mesnate, thuhet se “Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani kanë zhvilluar takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve deri me datën 1 shtator 2022, me kushtin që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës gjithashtu ka dënuar bllokimin e rrugëve dhe të shtënat në veri të Kosovës.
Kryeministri Kurti thotë që fajtorë kryesorë për situatën e shkaktuar në Kosovë janë ministri serb Petkoviq dhe presidenti Vuciq.
"Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat" - tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ambadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, deklaroi se SHBA-të, i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës ta shtyjnët vendimin për zbatimin e reciprocitetit për më 1 shtator, deri në qetësimin e situatës.
"U takova me presidenten Osmani dhe kryeministirn Kurti për t’u thënë që duhet ta shtyjnë për 30 ditë zbatimin e vendimit të reciprocitetit, sepse ka mospajtime dhe dezinformata sa i përket këtij vendimi. Nuk kam kërkuar që këto vendime të rishikohen, por vetëm që të shtyhet e që të ketë më shumë qartësi” u shpreh Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier.
Presidenti serb Vuçiç, ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të bisedojnë me zyrtarët e Kosovës, për të vazhduar dialogun dhe gjërat të zgjidhen në mënyrë paqësore.
"Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që dialogu të vazhdojë dhe të fillojmë t’i zgjidhim gjërat në mënyrë paqësore. Kemi kërkuar nga të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që të bëjnë gjithçka që është e mundur” - deklaroi Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Policia e Kosvës ndërkohë njofton se vijojnë të qëndrojnë të bllokuara pikat kufitare të Kosovës me Serbinë në Jarinje e Bërnjak, nga serbët vendas të cilët kanë vendosur barrikada në këto dy pika kalimi që ditën e djeshme.
Ndërkohë në pikën kufitare në Merdare po lëshohen fletëdeklarimet për gjithë shtetasit serbë që po hyjnë në Kosovë. Të gjitha tensionet në veri të Kosovës, u shkaktuan nga serbët vendas, të cilët kundërshtuan vendimin e qeverisë për pajisjen me dokumenta dhe targa të Kosovës.
Policia e Kosvës ka raportuar për katër raste ku qytetarët shqiptarë janë ndaluar dhe maltretuar, duke u shkaktuar lëndime dhe dëme materiale në automjetet e tyre, nga ana e grupeve të organizuara serbe.
Po ashtu nga dita e sotme pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa të tilla po qarkullojë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. (Merita Gashi, TVM2)
