Maqedoni
Zgjedhjet e pjesshme në Tetovë, partitë nisën Fushatë për këshillin e komunës
01.08.2022 17:57
Filloi zyrtarish fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme lokale në komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë – Rostushë...

Filloi zyrtarish fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme lokale në komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë – Rostushë, si dhe për zgjedhjen e përbërjes së re të Këshillit të Komunës së Tetovës. Teksa ka përfunduar afati në të cilin qytetarët kishin të rejtë të kontrollonin nëse gjenden apo jo në listën zgjedhore, KZZ Tetovë vazhdon procedurat dhe pret zyrtarisht informat prej KSHZ-së për numrin e votuesve.
“Ende nuk kemi informat zyrtare sa i përket personave të cilat janë të infektuar me virusin Kovid 19, ndërsa sa i përket votimit të personave të sëmurë dhe të paaftë ata do të duhet të drejtohen me kërkesë deri te KKZ 7 ditë përpara ditës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe poashtu edhe informacionin se sa persona vuajnë dënimin me burg në Burgun e Tetovës.”, tha Nazmi Dauti nga KKZ - Tetovë.
Në Tetovë garojnë 13 parti dhe lista të pavarura. BDI nisi fushatën me takime me banorët e më shumë vendbanimeve. Ata mbrëmë kanë dëgjuar hallet e banorëve të vendbanimeve Recicë e Madhe dhe Xhepcisht. Premtuan zgjidhje për problemet e tyre.
Lëvizja Besa prezentoi listën e këshilltarëve dhe kërkoi mbështetje për shumicën në këshillin komunal.
“Me këtë këshill do përmbyllim bashkë gjitha ato premtime që i kemi dhënë edhe në kampanjën e vitit 2021 dhe tani, sepse një pjesë janë realizuar tashmë. Bashkë me këta njerëz do tregojmë se tetovarët janë ata që dinë ta bëjnë ndryshimin.”, tha Bilall Kasami, kryetar i lëvizjes “Besa”.
PDSH nisi mbrëmë fushatën me premtimin se për tetovën nëse fitojnë, do ketë dhjetfish më shumë buxhet.
“Nëse PDSH- ja i fiton këto zgjedhje komunale si parti u premtoj se forca jonë do të dhjetfishohet në Qeveri, nëse ne PDSH- ja i fiton këto zgjedhje i premtojë Tetovës se buxheti deri në fund të vitti do të jetë dhjetfish më i madh.”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Aleanca për Shqiptarët nisi fushatën me moton, “Jepi zë Rinisë”.
“Edhe fatin e fëmijëve të tyre ja lenë Tetovës si qytet universitar dhe prandaj nuk kam pas asnjë dilemë që edhe fatin e partisë ne do të duhet tua lejmë kësaj radhe rinisë këtu në Tetovë sepse më së miri si gjithkush tjetër do të din që ta transmetojë mesazhin që do të duhet të jepet në këto zgjedhje.”, Zijadin Sela, kryetar i ASH-së.
Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” thonë se do jenë zëri i qytetarëve në kuvendin komunal.
“Ne do të kërkojmë transparencë dhe llodaridhënie nga komuna, kërkojmë që të kemi një Qytet me plan urbanistik dhe ambient të pastër. Janë këto tre problem të rëndësishme të cilat ne i kemi identifikuar më herët dhe do të vazhdojmë ti shtyjmë.”, tha Elmedina Abdulahi nga “Më mirë për Tetovën”.
Teksa të gjitha këto subjekte do të garojnë të vetme, koalicion parazgjedhor ka paraqitur vetëm lista e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë. Ata nisën fushatën më herët se fillimi zyrtar.
“Iu bëj thirrje banorëve të Tetovit që të votojnë për listën e këshilltarëve të LSDM-së. Lista është e mbushur me emra të dëshmuar, me emër dhe të njohur, të gatshëm të japin maksimumin për Tetovën.”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Edhe VMRO-DPMNE kërkon mbështetje për këshilltarët e saj në Tetovë.
“Presim që numri i votave të jetë më i lartë edhe pse periudha aktuale është vërtet sfiduese për shkak të pushimeve vjetore që i shfrytëzojnë bashkëqytetarët tanë. Vlerësoj që qytetarët do të votojnë PËR Tetovën e re, moderne dhe moderne, dhe normalisht do të votojnë për listën këshilltare të VMRO-DPMNE-së, të drejtuar nga Angel Karapetrov.”, tha Hristian Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
“E Majta” përmes rrjeteve soaciale prezantoi listën e kandidatëve për këshilltar komunal, duke premtuar se Tetovën do ta çlirojnë nga robërimi i deritanishëm.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme lokale, nisi mesnatën e së dielës dhe do të zgjasë deri në mesnatën e 19 gushtit. Më 21 gusht në Tetovë do të votohet në 117 vendvotime, numri i votuesve, pritet të jetë rreth 83 000.
REXHEP QAMILI
