Kosova dhe Serbia pritet të rifillojnë bisedimet gjatë muajit gusht
Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti....

Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që të takohen në Bruksel për të diskutuar në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga blloku, në mënyrë që të shmangen tensionet si ato të së dielës në veriun e Kosovës.
Por, zyrtarët në Bruksel nuk dhanë ndonjë afat se kur mund të ndodhë takimi, ndërsa në Prishtinë dhe në Beograd flasin për pjesën e dytë të muajit gusht.
Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thanë se “një takim i radhës, pritet të bëhet në javën e tretë të këtij muaji”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të martën në mbrëmje se do të shkojë në takim në Bruksel me 18 gusht.
Kryeministri Kurti tha se kurdo që merr ftesë nga zoti Borrell është i gatshëm të shkojë në Bruksel.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se do të shkojë në Bruksel, por nuk pret asgjë nga bisedimet me kryeministrin Kurti.
Tensionet shpërthyen të dielën në komunat veriorë të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kur grupe qytetarësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar planet e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia.
Qetësia u rivendos pasi qeveria e Kosovës pranoi kërkesën amerikane për një shtyrje 30 ditëshe të zbatimit të vendimeve.
