Maqedoni
RMV i dhuroi tanke Ukrainës, Moska: Shkupi bëri gabim të madh
03.08.2022 14:21
Vendimin e autoriteteve të vendit për dhurimin e tankeve T-72 në Ukrainë...

Vendimin e autoriteteve të vendit për dhurimin e tankeve T-72 në Ukrainë, Rusia e konsideron si gabim të madh. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, thotë se edhe pse bëhet fjalë për pajisje të vjetruar, me donacionin, është dhënë mbështetje për "vazhdimin e aktiviteteve kriminale të regjimit në Kiev".
“Pavarësisht se, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për një donacion "të padëmshëm" të pajisjeve të vjetruara, mbetet fakti se Shkupi besnik i NATO-s është i përfshirë në dërgimin e armëve në Ukrainë, duke kontribuar kështu në vazhdimin e aktiviteteve kriminele të regjimit në Kiev kundër popullsisë civile në Donbass. E gjithë kjo çon në përkeqësim të mëtejshëm të situatës. Vlerësojmë se ky është një gabim i madh i udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut.”,- tha zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zakharova.
Zakharova paralajmëroi “njerëzit që angazhohen për demokraci” të mos përshkallëzojnë më tej çështjet.
Reagoi MPJ dhe MB: Mbrojmë vlerat, lirinë dhe sigurinë globale
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes nga të cilat thonë se Maqedonia e Veriut është shtet sovran që merr vendime sovrane, nisur nga parimet e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
“Maqedonia e Veriut që në fillim e dënoi ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë dhe qëndroi në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, e para se gjithash në mbështetje të paqes, të të drejtave të njeriut dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Në fakt, deri më tani, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nxori disa Vendime për ndihmë ushtarako-teknike me të cilat i ndihmojmë Ukrainës në mbrojtjen e integritetit të saj territorial, i cili është e rrezikuar nga ndërhyrja ushtarake.”,- thuhet në reagim.
Të dy ministritë potencojnë se RMV, si anëtare e Aleancës më të fuqishme ushtarako-politike, në mënyrë të vendosur qëndron pas pozicionit dhe vendosmërisë së NATO-s që të jetë garantuese e paqes dhe sigurisë së vendeve të saj anëtare dhe që t’i mbrojë vlerat, lirinë dhe sigurinë e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.
SANIJE DURAKU
