Botë
Nënshkruhet marrëveshja me kishën serbe, Abazoviq: E vonuar, përçojmë mesazh paqeje
03.08.2022 15:36
U nënshkrua në fshehtësi të plotë Marrëveshja Themelore ndërmjet qeverisë malazeze dhe Kishës Ortodokse Serbe...

U nënshkrua në fshehtësi të plotë Marrëveshja Themelore ndërmjet qeverisë malazeze dhe Kishës Ortodokse Serbe. Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia e mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj, pra më gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha i mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.
Kryeministri Driton Abazoviq, thotë se të gjitha bashkësitë fetare duhet të kenë të drejta identike dhe se bashkërisht duhet të angazhohemi për një shoqëri ku mbizotëron toleranca dhe pajtimi.
“Ideja që të nënshkruhet kjo marrëveshje me kishën ortodokse serbe është ide e vjetër, më vjen keq që nuk është realizuar paraprakisht, por Qeveria e Malit të Zi është e vendosur që të gjithë bashkësitë fetare të kenë të drejta identike dhe ne jemi të kënaqur nëse e kemi arritur këtë sot. Besoj se në këtë mënyrë përçohet mesazhi i paqes, tolerancës, besoj se do të shfletojmë faqe të re do të kemi sfida tjera, me dëshirën që më në fund të ndërtojmë shoqërinë e cila do të jetë e barabartë dhe të drejtat që i kërkojmë për vete tua japim edhe të tjerëve.”,- tha kryeministri i Malit të Zi, Driton Abazoviq.
Patriarku Porfirije: S’duam asgjë më shumë se çdo bashkësi fetare
Patriarku serb Porfirje tha se Marrëveshja Themelore është diçka që i duhet shtetit dhe Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
“Nuk dëshironim asgjë më shumë se asnjë qytetar i Malit të Zi sa i përket temës së religjionit, e as që kemi pasur ambicie të arrijmë asgjë më tepër se cilado bashkësi tjetër fetare. Por nënkuptohet është logjike dhe normale se ne nuk kishim dëshirë të pranonim asgjë më pak se kjo marrëveshje.”,- u shpreh patriarku i Kishës ortodokse serbe, Porfirije Periq.
Gjukanoviç kundër marrëveshjes, paralajmëron nismë për votëbesimin e qeverisë
Marrëveshja Themelore, që nga momenti i publikimit, shkaktoi konflikte brenda Qeverisë së Dritan Abazoviçit dhe mes anëtarëve të shumicës qeverisëse. Pas nënshkrimit, e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviçit, e cila njoftoi se do të ndërmarrë nismën për votëbesimin e Qeverisë së Dritan Abazoviçit. Nënshkrimi i marrëveshjes ngjalli revoltë dhe te qytetarët. Disa dhjetëra u mblodhën në afërsi të vilës ku u nënshkrua e njëjta, teksa policia kishte bllokuar hyrjet që të çonin atje.
FLUTURA LATIFI
