Botë

Vazhdon e ashpër ofensiva ruse në Ukrainë, gra, fëmijë e të moshuar evakuohen nga Donbasi

03.08.2022 17:03

Forcat ruse vazhdojnë ofensivën e tyre në Ukrainë...

Forcat ruse vazhdojnë ofensivën e tyre në Ukrainë. Beteja të ashpra janë duke u zhvilluar në Luhask dhe Donetsk, seri raketash janë hedhur mbi Mykolaiv dhe Kherson. Donbasi është nën flakë. Pas eskalimit atje në Donbas, autoritetet filluan evakuimin e banorëve. Treni i parë mbërriti në Kropyvnytsky. Shumica e të evakuuarve janë gra, fëmijë dhe të moshuar, gjithashtu edhe persona me aftësi të kufizuara.
 
“Në rajonin e Donbasit situata ka dalë jashtë kontrolli. Atje është një ferr i vërtetë dhe kjo nuk mund të përshkruhet me fjalë.”,- tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.
 
“Nuk duhet të prisni, duhet ta bindni njëri-tjetrin për tu evakuuar. Personat me aftësi të kufizuara, të sëmurët, fëmijët - të gjithë vijnë këtu. Hekurudha e Ukrainës bëri gjithçka për të siguruar që të kishte vende të lira dhe vagonë të ndara. Ne kemi për të evakuuar 50.000 fëmijë nga Bakhmut, Kramatorsk, Sloviansk, e gjithë pjesa e papushtuar, presim edhe nga zona e okupuara.”,- theksoi zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.
 
“Do t'i sistemojmë në vende të ndryshme: Bujtinat sociale që janë përgatitur tashmë. Do t'i akomodojmë edhe në shkolla dhe kopshte. Pas një kohe do t'i vendosim ato në shtëpi private.",- deklaroi shefi i Administratës Ushtarake Rajonale në Kropyvnytskyi, Andrii Raikovych.
 
Teksa evakuimet e para kanë nisur, autoritetet thonë se ditët në vijim do duhet të evakuojnë midis 200,000 dhe 220,000 banorë.
 
“Sapo kam dalë nga spitali sepse isha i shtrirë për dy javë. Më morën fragmente nga këmba.  Një ditë dola për të blerë bukë dhe aty ndodhi një shpërthim i madh, unë mbeta i plagosur rëndë.”,- u shpreh i zhvendosuri nga Severodonietsk, Oleksandr Verkov.
 
“Ne ikëm nga lufta me bashkëshorten, jemi pleq. Gruaja ime nuk mund ta duronte luftën, ishte e sëmurë.”,- tha i zhvendosuri nga rajoni i Donjeckut, Anatolii Kravchenko.
 
“Këta janë pacientë të shtrirë. Prandaj, na u desh të përdornim 10 ekuipazhe të ambulancës.",- theksoi drejtori i Departamentit Rajonal të Mbrojtjes së Shëndetit, Oleh Rybalcjenko.
 
Ndërkohë anija e parë me drithë që u nis nga Ukraina, 6 muaj pas pushtimit rus arriti në Turqi dhe pas inspektimit pritet të lundrojë drejt Libanit. Ngarkesa prej 26,000 tonësh drithë, e cila u nis të hënën në mëngjes nga porti ukrainas i Odesës, është e para që lejohet të eksportohet sipas marrëveshjes së arritur më 22 korrik në Stamboll midis Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësimin e Turqia dhe nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU