Maqedoni

Muaremi padi ndaj Ruskoskës, Trajçevës dhe Josifovskës

03.08.2022 17:08

Drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi, ka paralajmëruar padi penale ndaj prokurores...

Drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi, ka paralajmëruar padi penale ndaj prokurores për luftë ndaj krimit të organizuar, Villma Ruskoska, dhe dy prokurorëve të tjerë, Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska, për bastisje joligjore në drejtorinë që udhëheq. Padia penale kundër tre prokurorëve është për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, falsifikim të dokumentit zyrtar dhe bashkëveprim. 
 
"Prokuroria e shtetit i ka konfirmuar dyshimet se Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Procedurë Penale, gjegjësisht para gjykatës janë dhënë dëshmi të rreme se Prokuroria Publike ka bazë për dyshim se është kryer vepër penale, ndërsa në dokumentacionin e lëndës ka vetëm padi anonime - e paargumentuar me asnjë dëshmi apo me mjete të tjera që të ketë kërkesë për bastisje në ndonjë organ shtetëror dhe individ."
 
Theksoi se kur bastisja është dashur të bëhet në prezencë të ministrit të Financave apo dikujt të emëruar nga ana e tij, Ruskoska këtë e ka bërë në kundërshtim me ligjin. Theksoi se bastisja është bërë për satisfaksion personal të ndonjë personi të caktuar me qëllim degradimin e tij dhe prishjen e reputacionit të Drejtorisë së Policisë Financiare. Muaremi hodhi poshtë deklarimet e Ruskoskës duke mbështetur konstatimet e Prokurorisë Publike gjatë mbikëqyrjes në PNKOK. Konstatimi i Prokurorisë Publike ishte se bastisja në Drejtorinë e Policisë Financiare është kryer në mënyrë joligjore teksa ishin detektuar edhe parregullsi të tjera procedurale.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI