Botë
Tensionet në veri të Kosovës, Stoltenberg- Vuçiçit: KFOR-i do të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti
03.08.2022 19:25
Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg ka komunikuar me presidentin e Serbisë...

Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg ka komunikuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në lidhje me tensionet në veri të Kosovës.
Ai shprehet se të gjitha palët duhet të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zgjidhin konfliktet përmes diplomacisë.
“Fola me Presidentin e Serbisë për tensionet në veri të Kosovës. Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zgjidhin konfliktet përmes diplomacisë. KFOR-i qëndron i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti”, shkruan Stoltenberg në Twitter.
Më 31 korrik u vendosën barrikada në veri të Kosovës nga serbët lokale, si kundërpërgjigje ndaj dy vendimeve të qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe që ishin parashikuar të nisnin zbatimin më 1 gusht.
Sipas vendimit, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hynin në Kosovë do të pajisen me një dokument për hyrje-dalje në territorin e Kosovës, I vlefshëm për 90 ditë.
Ndërkaq, vendimi i dytë për targat thotë se të gjithë personat që kanë makina me targa me akronim të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, duhet t’i riregjistrojnë makinat e tyre.
Pas tensioneve në veri të Kosovës që pasoi takimin mes udhëheqësve të Kosovës me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, qeveria e vendosi të shtyjë zbatimin e vendimit për 30 ditë, kur të hiqeshin barrikadat.
