Maqedoni

Revizioni shtetëror: 58 mln euro për interesa e kamata, rrugët askund

04.08.2022 16:59

Analiza e 11 projekteve infrastrukturore nga ana e revizionit shtetëror ka nxjerrë...

Analiza e 11 projekteve infrastrukturore nga ana e revizionit shtetëror ka nxjerrë në dukje faktin se shteti ka marrë kredi të larta,  kostot janë rritur, e një pjesë e madhe  e parave janë shpenzuar , ndërkohë që  ndërtimi në terren stagnon ose ecën me dinamika tepër të ngadalta. Rreth 58 milionë euro janë shpenzuar për interesa të ndryshme, kamata dhe gjoba për mjete të patërhequra. 
 
Revizorët konstatojnë se: “Projektet kanë një ritëm të ngadaltë zbatimi, si pasojë e dobësive në zgjidhjet teknike si pjesë e dokumentacionit të projektit, ndërprerjes së kontratave me kontraktorët për arsye të ndryshme, fillimit të procedurave të arbitrazhit ndërkombëtar, pengesave administrative për fillimin e shpronësimit, kuadrit kompleks ligjor me disa institucione të përfshira për përcaktimin e kompensimit për shpronësim,  që bllokon zgjidhjen efikase të shpronësimit”. 
 
Më shqetësuese  janë të dhënat për ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër , fundi i të cilës nuk duket askund dhe pas 5 anekseve të kontratës bazë, rritjes së kostos së ndërtimit  dhe shtyrjes së afatit të përfundimit.
 
Për këtë autostradë  janë marrë hua 685 milionë dollarë, prej të cilave deri tani janë tërhequr 383 milionë dollarë, e janë bërë edhe harxhime në baza të ndryshme prej  38.6 milionë dollarësh. Programi për Rrugët Nacionale mban vendin e dytë në këtë analizë.
 
Për  përmirësimin e infrastrukturës rrugore, janë marrë 180 milionë euro hua, nga të cilat 90 milionë janë tërhequr dhe plus janë bërë shpenzime të tjera prej 7 milionë eurosh. Pjesa më e madhe e rrugëve që duhet t’i realizojë  Ndërrmarja publike  për Rrugë Shtetërore, kanë nisur që në vitet  2014-2016, por kompania nuk ka fonde të mjaftueshme për t’i përfunduar.
 
Projekti i tretë sipas zbatimit të ngadaltë është edhe faza e dytë e hekurudhës me Bullgarinë. Nga 145 milionë euro të marra nga BERZH, vetëm 10% e parave janë tërhequr ,  kostot u rritën jashtëzakonisht shumë.
 
6 milionë e gjysmë euro janë shpenzimet e paparashikuara për shkak të vonesës së ndërtimit. Për 7 muaj mezi kanë përfunduar 30% e punimeve të planifikuara për të cilat janë shpenzuar  160 milionë euro.
 
Me ribalancin e buxhetit, zërat buxhetorë në këtë grafë u ulën ndjedhëm,  nga 615 në 520 milionë euro, sepse u bë e qartë që punimet  nuk do të përfundonin sipas parashikimeve . 
 
SEDAT SELIMI