Maqedoni
SASHK-u nuk e anulon grevën e paralajmëruar
16.01.2015 15:55
Greva gjenerale e punonjësve të arsimit, e paraparë të mbahet më 20 janar, nuk do të anulohet...
Ky është qëndrimi i kryetarit aktual të SASHK-ut, Jakim Nedelkov, sipas të cilit, të gjithë arsimtarët do të përfshihen në grevë, do të shkojnë në punë, mirëpo procesi mësimor nuk do të zhvillohet.
Përgjegjësinë për atë se kush do t’u ligjërojë nxënësve duhet ta bartin drejtorët e shkollave dhe ata duhet t’i organizojnë arsimtarët që nuk do përfshihen në grevë.
“Unë nuk shoh arsye se pse nuk duhet të mbahet greva dhe kuptohet se të gjithë arsimtarët do të përfshihen në grevë. Parashihet grevë klasike, mësimdhënësit do të shkojnë në punë, por nuk do të kryejnë obligimet e punës. Anëtarët e SASHK-ut, që do të përfshihen në grevë, do të mblidhen në një hapësirë dhe nuk do mbajnë ligjerata. Arsimtarët do të jenë në grevë, ndërsa për atë se kush do t’u mbajë mësim nxënësve dhe a duhet të vijnë në mësim, përgjegjësi le të mbajnë drejtorët e shkollave, të cilët duhet t’i organizojnë punëtorët që nuk do përkrahin grevën”- deklaroi kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov.
Në pyetjen se pse një numër i madh i sindikatave nuk përkrahin grevën duke e vlerësuar atë si mbledhje me kërkesa joreale dhe se është humbur përkrahja nga mësimdhënësit, Nedelkov dha përgjigjen se edhe përkundër tentimeve për manipulime, nuk po arrihet të devalvohet puna e SASHK-ut.
“Me devalvimin e punës së SASHK-ut po arrihet rritja e numrit të përkrahësve të grevës, ka edhe arsimtarë që nuk kanë qenë përkrahësit tanë, mirëpo tani kanë vendosur të anëtarësohen”- tha Nedelkov.
Ndërkohë, me drejtorët që kontaktuam nuk deshën të prononcohen para kamerës sonë, por janë të mendimit se grevë nuk do të ketë.
FLUTURA LATIFI
