Botë

Belgjika në gatishmëri të lartë për sigurinë

16.01.2015 15:59

Prokurorët belgë thonë se kanë arrestuar 13 vetë në një seri bastisjesh në vend...

Ata shprehen se të dyshuarit besohet të jenë anëtarë të një grupi islamik, që kishte planifikuar sulme kundër policëve.
 
Zyrtarët thanë sot se nuk duket të ketë ndonjë lidhje mes këtij grupi dhe sulmeve të javës së kaluar në Paris.
 
Hetuesit thanë se kishin zbuluar armë të ndryshme, si revolverë dhe armë automatike, lëndë plasëse dhe uniforma policësh në një apartament në qytetin Verviers, pranë kufirit me Gjermaninë.
 
“Tani për tani, ka 13 persona të arrestuar, një në Verviers, 9 në Molembeek, 2 në Brusselsand  dhe 1 në Berchem. Ky operacion kishte për qëllim shkatërrimin e një njësie terroriste dhe rrjeteve logjistike. Ky grup ishte i gatshëm për të kryer sulmin si terroristë, më saktësisht për të vrarë policë në vende publike dhe brenda stacioneve policore. Identifikimi i dy të dyshuarve është ende në vazhdimin e sipër"- deklaroi prokurori, Eric Van der Sypt.  
 
Autoritetet thonë se dy persona u vranë dje gjatë bastisjeve, por identiteti i tyre nuk është konfirmuar ende.
 
Gjatë bastisjes personat hapën zjarr ndaj policisë. Shkëmbimi i zjarrit zgjati disa minuta, por nuk pati të plagosur nga forcat e rendit. 
 
“Nuk mund të konfirmoj se ata kishin plane për vrasjen e policëve në rrugë apo në ndërtesat e policisë, mendoj se ne i dhamë një goditje të fortë terrorizmit në Belgjikë. Shpreh keqardhje për dy jetët e humbura, por ne jemi gjithashtu shumë të lumtur që askush mes forcave të policisë apo civilëve nuk është plagosur apo lënduar"- tha një zyrtar policor.
 
“Kryetari i bashkisë  kishte thënë tashmë në TV se ka xhihadistë në Verviers. Ka shumë të huaj në Verviers, kurrë nuk kam menduar se kjo do të ndodhë këtu. Mendova se ata jetonin këtu, por do të sulmojnë diku tjetër, në një qytet të madh”- u shpreh banori i Verviers, Liza Groulard. 
 
“Për mua kjo nuk ka të bëjë me Islamin. Islami është një fe paqësore. Ne jemi kundër gjithë kësaj. Këta janë terroristë të çmendur, kjo nuk ka të bëjë asgjë me fenë”- theksoi banori i Verviers, Imane Aissaoui.
 
Autoritetet besojnë se disa nga ekstremistët janë larguar nga Belgjika për në Siri.
 
Megjithëse nuk janë zbuluar lidhje me incidentet e Parisit, policia belge tha se një person i arrestuar dje dyshohet se ka furnizuar me armë Amedy Coulibaly, i cili vrau katër vetë në një dyqan ushqimesh.
 
Zyrtarët në Belgjikë kanë ngritur nivelin e sigurimit nga rrezikut në vend.
 
VALBON BEXHETI