Botë
Vizita e parë në Mal të Zi e Hashim Thaçit
16.01.2015 16:22
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, realizoi vizitën e tij të parë zyrtare në Mal të Zi...

Nën masa të larta sigurie, Thaçi u prit nga përfaqësues më të lartë të këtij shteti. Takimin e parë në këtë shtet Thaçi e realizoi me homologun e tij malazez, Igor Lukshiq.
Dy bashkëbiseduesit kanë theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve fqinje në fusha të ndryshme ekonomike, infrastrukturore dhe kulturore, si dhe shkëmbimin e përvojave që kanë të bëjnë me proceset integruese në strukturat euroatlantike.
“Kemi raporte të shkëlqyeshme dhe perspektivë të sigurt evropiane”- tha ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Vila rezidenciale “Gorica” në Podgoricë, ku delegacioni i Kosovës zhvilloi takimet, ishte e rrethuar nga qindra policë të njësive speciale malazeze për të siguruar që vizita të kalojë pa incidente.
Thaçi realizoi takime edhe me kryeministrin, Milo Gjukanoviq, kryetarin e parlamentit, Ranko Krivokapiq, si dhe me presidentin malazez, Filip Vujanoviq. Pasditen e sotme zëvendëskryeministri Thaçi qëndroi edhe në Ulqin për të realizuar agjendën e takimeve të parapara me përfaqësuesit shqiptarë në Malin e Zi.
Ditë më parë, mediat malazeze raportuan që policia e shtetit ka ngritur në nivelin më të lartë të mundur sigurinë e burrështetasit kosovar, me atë që do të ketë përgjegjësinë maksimale për të ruajtur shefin e diplomacisë kosovare, Hashim Thaçin.
Madje, mediat malazeze kanë thënë se masat e sigurisë u shtuan edhe si rezultat i të dhënave që shërbimi sekret malazez ka mbledhur, që diplomati shqiptar, Hashim Thaçi, mund të jetë edhe objekt i një atentati nga qarqet shoviniste serbe.
GYLTENE SINANI
