Botë

77 vjet nga bomba atomike në Hiroshima

06.08.2022 12:02

77 vjet më parë, më 6 dhe 9 gusht të vitit 1945 Shtetet e Bashkuara të Amerikës hodhën bomba atomike...

77 vjet më parë, më 6 dhe 9 gusht të vitit 1945 Shtetet e Bashkuara të Amerikës hodhën bomba atomike në qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bomba e uraniumit, me forcën e 13 mijë TNT, shkatërroi 70 për qind të Hiroshimës duke krijuar nxehtësi prej 3.000 centigradësh. Bomba atomike rrafshoi me tokën çdo gjë në një diametër prej 1,5 kilometra, shkaktoi 80 mijë të vdekur vetëm në fazën e parë dhe 140 mijë deri në fund të vitit 1945. Teksa shumë njerëz të plagosur vdiqën ende pa iu nënshtruar ndihmës mjekësore, shumë të tjerë që shkuan në qytet për të dërguar ndihma po ashtu humbën jetën si pasojë e ekspozimit ndaj shiut radioaktiv. 

Në Nagasaki, kodrat përreth qytetit kufizuan përhapjen e forcës shkatërruese të bombës me fuqi 22 mijë TNT të hedhur nga një lartësi prej 500 metrash, megjithatë, afër 70 mijë persona humbën jetën në fazën e parë dhe gjysma e qytetit u shkatërrua. 
 
Autoritetet: Të krijojmë një botë pa armë bërthamore
 
Në ceremoninë përkujtimore në Hiroshima, iu bë thirrje pjesmarrësve në  Konferenca e Dhjetë e Rishikimit të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore në Nju Jork, që të punojnë urgjentisht për të eliminuar stoqet  bërthamore që kërcënojnë të ardhmen e botës
 
“Japonia duhet të marrë pjesë në Takimin e ardhshëm të Shteteve Palë të traktatit, të bëhet menjëherë vetë një shtet palë dhe të mbështesë me gjithë zemër lëvizjen drejt heqjes së armëve bërthamore.”, tha Matsui Kazumi, kryebashkiaku i Hiroshimës. 
 
“Ne do të presim samitin e G7 këtu në Hiroshima vitin e ardhshëm. Unë dua të ndaj me botën betimin tonë se katastrofa e përdorimit të armëve bërthamore nuk do të përsëritet më kurrë. Gjithashtu dua të rikonfirmoj me liderët e tjerë të G7, përpara monumentit të paqes, se ne do të jemi të bashkuar për të mbrojtur paqen dhe rendin botëror, si dhe vlerat universale si liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës.”, tha Kishida Fumio, kryeministër i Japonisë
 
Guterres: Njerëzimi po luan me armën e mbushur
 
“Armët bërthamore nuk kanë kuptim. Tre çerek shekulli më vonë, ne duhet të pyesim veten se çfarë mësuam nga reja e kërpudhave që u ngrit mbi këtë qytet në vitin 1945 . Krizat me nuanca të rënda bërthamore po përhapen me shpejtësi, nga Lindja e Mesme në Gadishullin Korean, deri në pushtimin rus të Ukrainës. Njerëzimi po luan me një armë të mbushur.”, tha Antonio Guterres, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
 
Guterres e quajti Konferencën aktuale të Rishikimit të Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, si një “shenjë shprese”.
 
MIGENA GORENCA