Maqedoni

Jankullovska: është respektuar përfaqësimi i drejtë

16.01.2015 16:36

Gjatë ceremonisë së betimit të 400 policëve të rinj, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska...

Gjatë ceremonisë së betimit të 400 policëve të rinj, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, tha se është e kënaqur që ka respektuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për policë.
 
Edhe pse 18,5% nga 400 policët e pranuar në konkursin e fundit janë shqiptarë, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, vlerësoi se kjo reflekton përqindjen reale të popullsisë shqiptare në Maqedoni. 
 
“Struktura etnike e kësaj gjenerate të efektivëve policorë e reflekton përbërjen etnike të Maqedonisë”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
 
Kjo mënyrë e përzgjedhjes së kandidatëve, sipas Jankullovskës, garanton polici profesionale dhe të pavarur nga ndikimet eventuale.
 
“Mënyra e përzgjedhjes që promovojmë është shembull se si ndërtohet shërbimi profesional pa kurrfarë ndikimi. Ju e dini se vetëm më të mirët dhe më të përgatiturit arritën t’i kalojnë të gjitha shkallët”- tha Jankullovska.
 
Dy ditë më parë, 31 kandidatë janë përjashtuar nga konkursi për policë. Prej tyre 24 janë shqiptarë dhe shtatë maqedonas.
 
Të eliminuarit janë pajisur me certifikata për mbarimin e trajnimit për policë dhe u është thënë se janë të parët në listën e prioriteteve në rast të nevojës për punësime të reja.
 
BESIM ABDULLAI