Botë
Goditja e centralit atomik, akuza të ndërsjella Rusi-Ukrainë
06.08.2022 13:38
Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëra-tjetrën për goditjen e centralit atomik ukrainas, Zaporizhya...

Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëra-tjetrën për goditjen e centralit atomik ukrainas, Zaporizhya, të pushtuar nga Rusia. Si pasojë e sulmit janë dëmtuar linja të tensionit të lartë, e një repart i centralit është dashur të mbyllet. Presidenti Zelensky pas sulmit ka bërë fjalë për “akt terrorist” dhe ka kërkuar nga Rusia të marrë përgjegjësinë për këtë akt.
“Sot, pushtuesit krijuan një situatë tjetër jashtëzakonisht të rrezikshme për të gjithë në Evropë – ata qëlluan në termocentralin Zaporizhzhia, dy herë në një ditë.”, tha Volodymyr Zelenskyy, president i Ukrainës.
Por Moska thotë se ushtria ukrainase, të premten vonë ka qëlluar në territorin e centralit atomik. Pala ukrainase nga ana e saj, u shpreh, se rusët e kanë goditur vetë këtë territor. Të dhënat nuk mund të provohen në mënyrë të pavarur. Vetëm para pak ditësh, Agjencia Ndërkombëtare Atomike, IAEA në Vjenë u shpreh mjaft e shqetësuar për gjendjen në centralin atomik me gjashtë reparte dhe një kapacitet prej 6000 megavat. Zaporishja është centrali më i madh atomik i Europës. Kërkohet me urgjencë inspektimi i sigurisë teknike të centralit është shprehur kreu i IAEA-s, Rafael Grossi. Por aktualisht, është shumë e vështirë të depërtohet në zonën e luftës përreth centralit.
FLUTURA LATIFI
