Botë

Aksident tragjik në Kroaci, autobusi del nga rruga, 12 viktima

06.08.2022 14:03

Dymbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe 31 janë plagosur...

Dymbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe 31 janë plagosur, 18 prej tyre janë në gjendje të rëndë, pasi një Autobus me targa polake, i mbushur me pelegrinë fetarë, rrëshqiti nga rruga dhe u rrëzua pranë Varazhdinit në Kroacinë veriperëndimore në orën 05:40 të mëngjesit të së shtunës. 11 persona vdiqën në vendngjarje, ndërsa i 12 ndërroi jetë më pas në spital. 
 
“Autobusi ishte nisur nga një vend afër Varshavës dhe sipas disa informacioneve, ishte një grup që planifikonte të shkonte në pelegrinazh në Megjugorje. Në autobus kanë qenë 43 udhëtarë, por nuk ka pasur fëmijë.”, tha Davor Bozhinoviq, ministër i punëve të brendëshme- Kroaci.
 
“Kishte 16 ekipe mjekësore në vend - 14 prej tyre nga Qarku Varazhdin, dhe dy erdhën në ndihmë nga Qarku i Zagrebit dhe Medjimurje. 18 pacientët që u plagosën rëndë janë transportuar në spitalet e Zagrebit.”, tha Maja Grba-Bujeviç, drejtoreshë e institutit kroat për mjekësi emergjente.
 
“Ne do të bëjmë çmos që të jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me shërbimet e urgjencës dhe të ndihmojmë sa të mundemi dhe çfarë do të jetë në fuqinë tonë si përfaqësi konsullore, për sa i përket kontakteve me familjet e pasagjerëve të vdekur dhe të plagosur.”, tha Dagmara Luković, konsulle e Republikës së Polonisë në Kroaci
 
Ende nuk dihet shkaku i aksidentit. Segmenti i rrugës që çon drejt kryeqytetit kroat Zagreb, është mbyllur për qarkullim. Kryeministri polak Mateusz Moraëiecki ka biseduar  me homologun e tij kroat Andrej Plenkoviç nga ku i është thënë se kanë mbështetjen e plotë të shërbimeve mjekësore kroate. 
 
SHPËTIM NUREDINI