Maqedoni
PPD-ja nesër do të mbajë kongresin e gjashtë
16.01.2015 16:39
Pas një aktiviteti politik të gjatë dhe të mundimshëm, partia më e vjetër shqiptare në Maqedoni, respektivisht Partia për Prosperitet Demokratik...

Pas një aktiviteti politik të gjatë dhe të mundimshëm, partia më e vjetër shqiptare në Maqedoni, respektivisht Partia për Prosperitet Demokratik nesër në Tetovës do të mbajë kongresin e gjashtë, ku do të zgjedhin anëtarët e Kuvendit Qendror dhe kryetarin e partisë.
Zëdhënësja e kësaj partie, Afërdita Hamidi, për TVM2 theksoi se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e këtij kongresi dhe se delegatët e kongresit do të aprovojnë statutin e partisë, platformën politike, ekonomike, sociale e kulturore të PPD-së.
“Kongresi i VI-të i PPD-së vjen pas një aktiviteti politik të gjatë dhe të mundimshëm, si dhe pas tentativave të pasuksesshme për bashkëngjitje të kësaj partie me PDSH-në dhe përpjekjeve dhe trusnive të pafundta të udhëheqësve të partisë shqiptare në qeveri të pamundësojë rikthimin në skenë të kësaj partie. Përndryshe, PPD-ja është partia e dytë më e vjetër nga të gjitha trojet shqiptare fill pas LDK-së, e cila si lëvizje kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë i vuri themelet e lëvizjes demokratike shqiptare, i aktualizoji kërkesat kombëtare shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë, afirmoi çështjen shqiptare në organizatat ndërkombëtare në Evropë dhe botë dhe e dha kontributin e saj maksimal në ndaljen e konfliktit të vitit 2001”- deklaroi zëdhënësja e PPD-së, Afërdita Hamidi.
Nga kjo parti theksuan se në kongres do të marrin pjesë nismëtarë dhe ish-struktura udhëheqëse të kësaj partie, deputetë, ministra, këshilltarë komunal dhe delegatë të deleguar nga nëndegët dhe degët e PPD-së. Siç mësoi TVM2, kryetare e PPD-së pritet të zgjidhet Teuta Llalla.
MIFTAR EMINI
