Maqedoni
VMRO kërkon dorëheqjen e Stojçevskës, Arsovski: Pranoi se protokolli na bullgarizon
06.08.2022 15:27
VMRO DPMNE kërkon dorëheqjen e ministres për kulturë Bisera Kostadinovska-Stojçevska....

VMRO DPMNE kërkon dorëheqjen e ministres për kulturë Bisera Kostadinovska-Stojçevska. Sipas tyre, ministrja ka pranuar, në një intervistë të Zërit të Amerikës, se korniza negocuese për anëtarësim në BE asimilon dhe bullgarizon maqedonasit dhe se ajo po censuron kulturën maqedonase. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Dimçe Arsovski, thotë se pushteti i LSDM-së ka heq dorë nga filmat historik maqedonas dhe se po kufizon mendimin krijues për shkak të kornizës negocuse.
“Ministrja e kulturës mes reshtave tha se çfarë përmban dhe çfarë parasheh protokolli që kanë harmonizuar qeveria e LSDM-së dhe Bullgaria. Çdo vepër që do të përpunojë përmbajtje që sipas palës bullgare vlerësohet si gjuhë e urrejtjes nuk do të përkrahet me mjete shtetërore. Përkatësisht ajo thotë: duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të ecim përpara. Duhet të çlirohemi. Historia nuk guxon më tej të na bëhet burg.”,- tha Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
Stojçevska: Sa jam ministre s’do ketë censurë
Reagoi vetë ministrja e kulturës, Bisera Stojçevska. Në një postim në facebook hodhi poshtë pretendimet e VMRO DPMNE-së, si interpretime me tendencë.
“Censura është shëmbëlltyrë e shoqërive të shkuara ose pushteteve të mëparshme dhe ajo s’ka vend në shekullin 21, në një vend kandidat për anëtarësim të plotë në BE. Si ministre e kulturës, për aq kohë sa do të jem unë në atë vend s’do të ketë censurë në asnjë projekt të përkrahur nga Ministria e Kulturës.”,- shkruan Stojçevska.
Kuzeska: VMRO, liri arbitrare në interpretim
LSDM në mbrojtje të minisres dhe kornizës negocuese. Rikujtoi VMRO- DPMNE-në për qasjen e saj ndaj kulturës dhe artistëve në kohën kur ishte në pushtet.
“VMRO DPMNE, parasëgjithash, është partia që lustronte artistë, lustronte shkrimtarë, do të përmend Sllavko Janovskin dhe po ju rikujtojë se velikanin Bllazhe Koneski e quanin “Xhuxhi nga Nebregova” dhe bëhet fjalë për një liri arbitrare në interpretimin e ministres.”-, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Stojçevska në intervistën për Zërin e Amerikës ndër të tjera tha: Të gjithë le të krijojnë lirshëm, por të krijohet në frymë e asaj që do të argëtojë popullin dhe publikun dhe jo në frymën që do të kthejë popullin pas në kohë të errëta, ku s’pamë asgjë të mirë.
SHPËTIM NUREDINI
