Ekonomi
Frangu zviceran gati barazohet me euron
16.01.2015 17:09
Frangu zviceran vazhdon të mbajë nivelin e lartë të vlerës së saj që vetëm ditën e djeshme tejkaloi 30%-in në raport me euron...

Sot vlera e frangut ishte në rritje për 28%. 1 euro shkëmbehet për 0.85 franga. Bankierët thonë se niveli i lartë do të qëndrojë një kohë më të gjatë, por pa ndikime negative tek qytetarët e vendit.
Kredimarrësit që kanë marrë kredi në bankat e vendit me valutën zvicerane, do të vazhdojnë të paguajnë kredinë me koston e njëjtë që kanë paguar më parë.
“Të gjithë klientët të cilët kanë kredi, qofshin persona juridik apo persona fizik, nuk duhet të shqetësohen se a do ta rrisë banka koston për kreditë që i kanë, ashtu që nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëfarë ndikimi në koston e tyre, ngelin çmimet e njëjta të cilat i kanë pasur deri në ditën e djeshme”- deklaroi anëtari i bordit pranë “Stopanska Bankës”, Fatmir Idrizi.
Nga Banka Popullore e Maqedonisë thonë se frangu zviceran në sistemin bankar në vend në dhjetë vitet e fundit është i përfaqësuar me vetëm 2%.
Vetëm në muajin dhjetor janë dhënë 0.14% kredi në franga zvicerane nga numri total i kredive të dhëna.
Përqindja e qytetarëve që kanë depozita bankare me këtë valutë arrin në 1.2%. Nga bankat thonë se këta persona bashkë me mërgimtarët do të kenë dobi nga rritja e vlerës së frangut.
“Qytetarët të cilët kanë depozita në frangun zviceran, ata janë në favor, d.m.th. ata për sasinë të cilën e kanë në bankë tani do të mund t’i këmbejnë me një shumë tepër më të madhe qoftë euro, qoftë denarë, që do të thotë është në favor të kursimtarëve të cilët i kanë pasur të hollat në këtë lloj devize”- tha Idrizi.
Nga Banka Qendrore zvicerane arsyetohen se kanë rritur vlerën e frangut me qëllim që të ulin rrezikun e inflacionit. Paraprakisht 1 euro shkëmbehej për 1.2 franga.
Një raport i tillë i vlerës euro-frang thotë se bankierët e vendit pas një periudhe mund të kthehen në realitet.
MERAL ISMAILI