Botë
Izraeli vret liderin e dytë të grupit Xhihadi Islamik Palestinez
07.08.2022 12:20
Teksa vazhdon të rritet numri i viktimave nga sulmet ajrore në Gaza, Izraeli ka vrarë të shtunën liderin e dytë të grupit Xhihadi Islamik Palestinez...

Teksa vazhdon të rritet numri i viktimave nga sulmet ajrore në Gaza, Izraeli ka vrarë të shtunën liderin e dytë të grupit Xhihadi Islamik Palestinez. Khaled Mansour është vrarë nga sulmet ajrore në shtëpinë e tij në Rafah, në jug të Gazas. Ai akuzohet për përgatitje të operacioneve ushtarake jashtë Gazas dhe u ka mbijetuar pesë tentim-vrasjeve nga ushtria izraelite në të kaluarën.
Gjashtë fëmijë dhe disa luftëtarë të grupit palestinez, përfshirë liderët – Khaled Mansour dhe Tayseer Jabari – janë në mesin e 29 palestinezëve që raportohet të kenë vdekur.Izraeli ka thënë se ka nisur operacionet për shkak të kërcënimeve që vijnë nga grupi, Xhihadi Islamik Palestinez.
Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të parandalojnë përshkallëzimin. Me shpresën e parandalimit të dhunës së mëtejmë, Egjipti është paraqitur si ndërmjetësues në mes të dy palëve dhe është raportuar të ketë dërguar një delegacion zyrtarësh në Izrael ditën e shtunë.
Në maj të vitit 2021, një luftë 11-ditore ka lënë të vdekur më shumë se 200 palestinezë dhe disa izraelitë. Palët më vonë janë pajtuar për armëpushim.
