Maqedoni
Avokati i Popullit pa kompetenca mbi përfaqësimin
16.01.2015 17:27
Avokati i Popullit do të ketë më shumë kompetenca në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut...

Avokati i Popullit do të ketë më shumë kompetenca në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, por nuk do të ketë kompetenca që të ndjekë dhe të raportojë para kuvendit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat nëpër institucione.
Me propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për Avokatin e Popullit, qeveria propozon heqjen e kësaj kompetence.
Propozim-ligji me këtë dispozitë nuk u pranua nga deputetët e BDI-së, të cilët në fazën e parë abstenuan, ndërkaq paralajmëruan ndërhyrje gjatë fazës së dytë.
“Me propozimin aktual i merret kompetenca Avokatit të Popullit për përcjellje të përcaktimit kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të të gjitha bashkësive në Republikën e Maqedonisë. Për këtë arsye ne vlerësojmë se teksti në nenin 13 është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e RM-së dhe për fazën e dytë ne paralajmërojmë që në këtë pjesë do të ketë intervenim që të mund të përmirësohet ky lëshim që bëhet në propozim-ligjin”- deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi.
BDI nuk pajtohet as me dispozitën, e cila përcakton zgjedhjen e zëvendësavokatëve të popullit.
Sipas tyre, kandidatët duhet të kenë përgatitje profesionale, psikolog ose sociolog dhe jo jurist siç parashihet me ndryshimet ligjore.
Edhe deputetja e pavarur në opozitë, Roza Topuzova-Karevska, thotë se institucioni Avokat i Popullit duhet të fuqizohet me kompetenca të reja dhe buxhet më të madh, ndërkaq puna e AP-së të mos përfundojë me votimin e Raportit vjetor në Kuvend, por me zbatimin e vërejtjeve dhe rekomandimeve të AP-së, që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të njeriut.
“Në çfarë niveli ka rënë puna e Avokatit të Popullit?! Në një raport, për të cilin do të debatojmë këtu, në fund do të miratohet dhe aq. Ne si deputet duhet të kemi më shumë kontroll se si përfundojnë ato shkelje të të drejtave të njeriut, të konstatuara nga AP-ja, cilat janë rezultatet dhe çfarë arrihet”- tha deputetja e pavarur, Roza Topuzova-Karevska.
Sipas propozuesit, me ndryshimet në ligj parashihet avancimi i sistemit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në harmoni me standardet ndërkombëtare për të drejta të njeriut, plotësimi i parimeve të Parisit për institucion nacional për të drejta të njeriut, promovimi i të drejtave të njeriut si pjesë e mandatit të AP-së, pluralizëm dhe pavarësi në funksionim, si dhe harmonizim i ligjit me Protokollin fakultativ ndaj Konventës kundër torturës dhe veprim fyes dhe johuman.
SHPËTIM NUREDINI
