Maqedoni
Parku nacional “Mali Sharr”, ambientalistët: Deponi në këtë perlë të natyrës
07.08.2022 13:27
Parku Nacional “Mali Sharr”, është një nga perlat e natyrës e si e tillë mbrohet me ligj....

Parku Nacional “Mali Sharr”, është një nga perlat e natyrës e si e tillë mbrohet me ligj. Por pamjet brënda tij në shumë vende, e bëjnë atë t’i ngjajë një deponie. Shumë qytetarë që e vizitojnë këtë vend, sigurisht që marrin edhe ushqime me vete, por shumë pak prej tyre kujtohen që mbeturinat t’i mbledhin e t’i hedhin në vendet e caktuara pasi mbaojnë shëtitjen, por i lënë aty ku kanë ngrënë.
“Në këto vende duhet të ketë renxherë, ndonjë lloj kontrolli që do të dënonte vizitorët që lënë pas tyre mbeturinat. Nëse i dënojmë aty ku kapen, edhe të tjerët do vënë mend e nuk do lënë më mbeturina. Nuk e di si do më kuptojnë qytetarët, por duhet ta ngremë vetëdijen e këtyre njerëzve të paktën në nivelin e vetëdijes që kanë fëmijët parashkollorë.”, tha Snezhana Novakovska, shoqëruese alpinistësh.
Por mbeturina nuk ka vetëm në vendet e zakonshme të pushimit të vizitorëve. Ato i gjen edhe thellë në zonat e mbrojtura, të cilat tani arrihen lehtë me hapjen e rrugëve që çojnë deri atje.
“Tani mund të arrihet shumë lehtë të vende për të cilat më herët duhet të ecje 4-5 orë e atëherë atje shkonin vetëm sportistët apo alpinistët amatorë dhe profesionistë. Tani në ato vende mund të shkojë gjithkush sepse ka rrugë. Kjo ka shtuar ndotjen e malit sepse njerëzit vijnë me makina, ndezin zjarre për skara, i lënë mbeturinat atje. Njerëzit duhet të edukohen se në mal duhet shkuar vetëm nëse ke dashuri për natyrën dhe e respekton atë.”, tha Aleksandër Stojanovski-Culi, klubi i alpinizmit “Jellak”.
Nga Ministria e Ekologjisë dhe Parku Nacional “Mali Sharr”, thonë se kanë pastruar 20 deponi të egra dhe ftuan komunën që të përfshihet në aksionet e tilla. Statistikat e fundit tregojnë se një e treta e mbeturinave nuk përfundon në lanfilldet e standardizuara, por ato hidhen në gropa të mëdha, që më së shumti janë nëpër zonat pyjore, në lumenj dhe liqene.
MIGENA GORENCA
