Maqedoni
Kriza energjetike, rritje urgjente të kapaciteteve vendore
07.08.2022 15:38
Kriza energjetike dhe rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë, gjithmonë e më shumë po godit bizneset dhe xhepin e qytetarëve...

Kriza energjetike dhe rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë, gjithmonë e më shumë po godit bizneset dhe xhepin e qytetarëve. Ekspertët me thirrje që të rriten kapacitetet vendore për prodhim, shumë herë më të lira se çmimet në bursë. Shteti të furnizohet me gaz dhe qymyr në kohë, pasi importi po bëhet i pasigurtë dhe gjithmonë e më i shtrenjtë. Kategorizimi i ri i çmimit të energjisë dhe ndihma për disa kategori qytetarësh ndihmon buxhetin e tyre por rëndon bizneset, të cilët rrugëdaljen e shohin te shtrenjtimi i produkteve ose ndihmën nga arka e shtetit.
“Çmimi shtypej për arsye politike për të fituar vota në zgjedhjet e shpeshta. Në prioritetet e qeverisë nuk është investuar në ndërtimin e kapaciteteve prodhuese vetanake dhe nëse shihni se çmimi që prodhon elektroekonomia e Maqedonisë është 45 euro, ndërsa mungesën prej 30% e blejmë në berzë me 300-350 euro, kjo është arsyeja që rrit çmimin e energjisë elektrike.”, tha Konstantin Dimitrov, profesor universitar.
Sipas profesorit Dimitrov, shteti për arsye politike në vend që të investojë në kapacitete prodhuese energjetike, ndër vite, ka zgjedhur masa më populiste. Një zgjidhje alteranative, akute, që mund të amortizonte konsumin, është subvencionimi i kolektorëve diellor, thotë Dimitrov.
“Shteti duhet të jep para për të gjithë që deri në vjeshtë duan të montojnë kolektorë diellorë. Kjo është një pikë ujë që mund të ndihmojë qytetarët që të mos harxhojnë energji elektrike nga rrjeti, pasi do të bie sistemi energjetik.”, tha Dimitrov.
Shtrenjtimet e reja të rrymës elektrike do të fryjnë faturat e sezonit të ri të ngrohjes. Qeveria mori detyrimin para biznesit që gjatë dimrit të mos mbyll kufijtë për import, Centrali Termoenergjetik Negotinë të punojë dhe mazuti të lëshohet në tregun e lirë, ndërsa industria e lehtë të vendosë fotovoltaikë për t’u mbrojtur nga çmimet e larta të energjisë.
SHPËTIM NUREDINI
