Maqedoni
OJQ “Mobiliteti”: Të punohet më shumë për turizmin e aksesueshëm
07.08.2022 16:16
Barrierat arkitekturore mbeten një nga problemet kryesore me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara fizike....

Barrierat arkitekturore mbeten një nga problemet kryesore me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara fizike. Për ta është e vështirë të lëvizin me karroca në rrugë, të hipin në trotuaret e larta apo të kalojnë bordurat në vendkalimet e këmbësorëve, ndaj gjithjnë kanë nevojë për ndihmë shtesë. Situata është e njëjtë në të gjitha qytetet e vendit, por gjatë verës po vihet re më shumë në Ohër e Strugë, ku personat me aftësi të kufizuara hasin në vështirësi për t’u afruar pranë bregut të liqenit.
“Aksesueshmëria është një nga problemet më të mëdha në vendin tonë, është kaq komplekse, ne flasim vazhdimisht, përpiqemi, bëjmë projekte dhe kërkesa. Si qenie njerëzore, ne kemi të drejtë në atë akses.”, tha Hristina Proskovska, OJQ “Mobiliteti” Shkup.
“Ne këtu vijmë me pushime. Së paku të mund të na bëhen rrugët disi që të lëvizim lirshëm, sepse nuk është investim i madh.”, tha Goce Minovski, kryetar i OJQ “Mobiliteti” Shkup.
Në vend llogaritet se 10 për qind ose rreth 200 mijë banorë janë persona me aftësi të kufizuara. Shoqata “Mobiliteti” thotë se po punohet vazhdimisht për heqjen e barrierave fizike dhe aksesueshmëri më të madhe.
FLUTURA LATIFI
