Maqedoni

Euroambasadori Orav takoi Ahmetin dhe Thaçin

16.01.2015 17:57

Kryetari i Bdi-së, Ali Ahmeti, takoi në Tetovë ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav, ku diskutuan tema rreth aktiviteteve politike dhe agjendat rreth integrimit...

Kryetari i Bdi-së, Ali Ahmeti, takoi në Tetovë ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav, ku diskutuan tema rreth aktiviteteve politike dhe agjendat rreth integrimit, zhvillimit dhe çështjeve të tjera në Maqedoni.
 
Duke parë zhvillimet në rajon, në Evropë, si dhe në botë, kryetari Ahmeti foli rreth nevojës imediate për integrim në NATO dhe fillim të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
 
“Kemi nevojë për stabilitet politik dhe kontribut nga të gjithë, përfshirë Brukselin dhe Uashingtonin”. 
 
Në lidhje me reformat në arsim, kryetari Ahmeti theksoi që ky proces ka zgjatur rreth dy vite në përgatitje e sipër dhe ka për synim rritjen e cilësisë së  arsimit dhe kthimit të mësimdhënies në piedestalin shoqëror, pasi që të gjithë, edhe ata që përkrahin reformat edhe ata që kundërshtojnë, pajtohen se situata në të gjitha nivelet arsimore në vend është alarmuese.
 
Ne kemi përgjegjësi dhe kjo gjendje duhet të ndalohet, andaj dhe BDI është e përkushtuar që të realizojë këtë proces. 
 
Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, kryetari Ahmeti theksoi se “për Bashkimin Demokratik për Integrim ka qenë e rëndësishme që këto ndryshime të harmonizohen me Brukselin dhe Komisionin e Venedikut dhe për këtë arsye miratimi i tyre u vonua gjersa zgjasnin konsultimet me partnerët tanë ndërkombëtar”. 
 
Orav u takua edhe me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçin, ku ata diskutuar mbi zhvillimet politike në Maqedoni, marrëdhëniet ndëretnike dhe integrimin euroatlantik.
 
Thaçi theksoi se dështimet në proceset integruese të vendit janë frustuese për qytetarët dhe në këtë drejtim të gjithë jemi të zhgënjyer.
 
Bashkëbiseduesit ranë dakord se duhet të rikthehet dialogu i mirëfilltë politik mes forcave kryesore politike, ku të gjitha palët duhet të mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë për të ardhmen e vendit, por se nga Qeveria e Maqedonisë varet nëse do t’i zbatojë reformat drejt rrugës së integrimeve euroatlantike.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU