Botë

Guterres kërkon qasje të inspektorëve ndërkombëtarë në centralin e Zaporizhjas

08.08.2022 12:23

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres...

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje që inspektorëve ndërkombëtarë t’u jepet qasje në centralin bërthamor të Zaporizhjas. 
 
“Çdo sulm në centralin bërthamor do të ishte një akt i vetëvrasjes . Ne mbështesim plotësisht AIEA-n në përpjekjet e tyre në lidhje me krijimin e kushteve për stabilizimin e centralit”, tha Guterres.
 
Kjo thirrje e shefit të OKB-së vjen pasi Ukraina dhe Rusia shkëmbyen akuza lidhur me granatimet gjatë fundjavës në centralin më të madh bërthamor në Evropë.
 
Ukraina tha se granatimet e reja ruse, që nisën më 6 gusht, kanë dëmtuar tre sensorë të rrezatimit dhe është lënduar një punëtor në centralin bërthamor të Zaporizhjas, që ishte dita e dytë e grantimeve mbi këtë central.Presidenti Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se po kryen “terror bërthamor” që sipas tij duhet të nënkuptojë më shumë sanksione ndërkombëtare, këtë herë në sektorin bërthamor të Moskës.
 
Centrali bërthamor i Zaporizhjas gjendet rreth 200 kilometra në veriperëndim të Mariupolit, që kontrollohet nga rusët. Ky central ka qenë nën mbikëqyrjen ruse qëkur trupat e Moskës e morën nën kontroll në fillim të luftës. Por, stafi ukrainas ka vazhduar të operojë me centralin.