Maqedoni
Lidhja e Sindikatave: Shpenzimet minimale për një familje, 47.042 denarë
09.08.2022 12:13
Sipas përllogaritjes së Lidhjes së Sindikatave shpenzimet minimale për një familje për muajin korrik kanë arritur në 47.042 denarë...

Sipas përllogaritjes së Lidhjes së Sindikatave shpenzimet minimale për një familje për muajin korrik kanë arritur në 47.042 denarë. Kjo do të thotë se shpenzimet e jetesës nuk mund t’i mbulojë edhe një familje me dy të punësuar që marrin rrogë minimale thonë nga Sindikatat.
Pothuajse gjysma e parave (17.843 denarë) harxhohen për ushqim dhe pije, pastaj për banim dhe transport, e më së paku për shëndetësi, gjithsej 784 denarë ose 1 për qind. Sipas tyre, politikat e Qeverisë për vetëm pesë muaj nga rritja e pagës minimale në 18.000 denarë e kanë kthyer vlerën e saj në nivelin para marsit të këtij viti, e me një pagë minimale punëtorët mund të blejnë vetëm ushqime dhe pije.
“Inflacioni prej 16 % e zhvlerëson vlerën e pagave, pra shuma prej 18.000 denarë, sa është paga minimale, tani ka vlerë reale prej 15.120 denarë, ndërsa pagamesatare neto prej 31.525 denarë, ka vlerë reale prej 26.481 denarë. Punëtorët kanë nevojë për rregullim të menjëhershme të pagave për të zbutur goditjen inflacioniste. Kjo do të thotë se qeveria duhet të rrisë pagat me 18.4 % deri në shtator në përputhje me ligjin, në të kundërtën, siç i dënon qeveria punëtorët, edhe punëtorët do të ndëshkojnë qeverinë. E njëjta gjë vlen edhe për punëdhënësit“, thonë nga LSM.
Enti i Statistikës ndërkohë thotë se shpenzimet e jetesës në korrik në krahasim me qershorin, janë rritur për 1,9 për qind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 2,5 për qind.
GYLTENE SINANI
