Maqedoni

Programet e reja mësimore, MASh: Materiale adekuate nëse tekstet e reja vonohen

09.08.2022 12:38

Është duke u zhvilluar procedura për zgjedhjen e operatorit ekonomik për shtypjen dhe shpërndarjen e teksteve...

Është duke u zhvilluar procedura për zgjedhjen e operatorit ekonomik për shtypjen dhe shpërndarjen e teksteve për lëndët e arsimit fillor për të cilat Byroja për Zhvillimin e Arsimit ka përgatitur planprograme të reja.
 
Sipas Konceptit të miratuar nga Ministria e Arsimit vitin e kaluar, në vitin shkollor 2022/2023 nxënësit e klasave të dyta dhe të pesta do të mësojnë me planprogramet e reja.
 
Nga MASh thonë se procedurat për miratimin e teksteve për të cilat janë përgatitur planprogramet e reja, janë në fazë përfundimtare dhe nëse procedurat zgjaten edhe pas fillimit të vitit shkollor, nxënësit do të përvetësojnë njohuritë nga materialet përkatëse të përgatitura, deri në momentin që i marrin tekstet e reja shkollore.
 
“Në konkursin anonim janë përzgjedhur një pjesë e teksteve, por ka edhe të tilla me komente nga komisionet recensuese që  duhet të pësojnë ndryshime/shtesa të caktuara. Pasi autorët të kenë bërë ndryshimet e kërkuara, teksti sërisht iu kthehet recensentëve për konstatimin e ndryshimit”, njofton Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
 
Sipas Konceptit për arsimin bazë, përveç librave të shtypur, në portalin e-ucebnici.mon.gov.mk do të jenë të disponueshme edhe tekste nga klasa e katërt dhe më lart, në format digjitale.
 
SEMRA AJETI