Maqedoni

Largimi i 33 të punësuarve nga “Higjiena Komunale”, Arsovska: Nuk ka lidhje etnia, ata nuk vinin në punë

09.08.2022 14:01

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, arsyeton largimin e 33 personave nga Higjienën Komunale si veprim të drejtë...

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, arsyeton largimin e 33 personave nga Higjienën Komunale si veprim të drejtë, pasi sipas saj, ata në shumicën e rasteve nuk kanë ardhur në punë, një pjesë prej tyre që ka ardhur në punë, nuk i ka kryer obligimet konform kontratës së punësimit. Arsovska hedh poshtë se këto largime mund të jenë bërë për shkaqe etnike. 
 
“Me vetë faktin që dikujt nuk i është vazhduar kontrata e punës do të thotë se udhëheqësia nuk ka qenë e kënaqur nga puna e tij, ndërsa për pjesën më të madhe të atyre personave të cilat nuk u është vazhduar kontratat në “Higjenën Komunale” kanë të bëjnë me mos ardhjen në vendet e tyre të punës. Nuk bëhet fjalë aspak për çështje etnike, sepse nuk është vërtetë pasi që ka persona të tjerë të punësuar nga etni të ndryshme. Për rastin në fjalë bëhet fjalë vetëm për persona të cilët fare nuk kanë ardhur në punë dhe që nuk i kanë kryer obligimet e tyre të punës”, theksoi kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
 
Nëse dikush mendon se duhet të mbështeten personat që refuzojnë të vijnë në punë dhe t’i kryejnë obligimet e tyre, le t’i mbështesin thotë Arsovska. Ajo nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë gjë. Madje thotë se cdokush që kërkon të marrë rrogë, pa kryer punën, do të dënohet.
 
“Çdo kund ku paraqiten këto sjellje devijuese të personave që nuk paraqiten në vendet e tyre të punës dhe nuk i kryejnë detyrat e tyre, ne  do të veprojmë. Jo vetëm për ata që nuk paraqiten në punë, por ka një pjesë të madhe të të punësuarëve që vijnë në punë, rrinë edhe nga 8 orë, por nuk punojnë asgjë. Flasim për persona të cilët thjesht nuk i kryejnë obligimet e tyre të punës dhe kjo do të thotë se e gjithë shoqeria duhet të ngritet në këmbë e t’i dënojnë këto sjellje. Besoj se qytetarët e dhanë mbështetjen e tyre për të pasur shërbime cilësore e jo që të marrin rroga personat që nuk punojnë”, theksoi Arsovska.
 
Por megjithëse tha se largimet nuk kanë të bëjnë me përkatësinë etnike,  Arsovska nuk tregoi se sa është përfaqësimi i shqiptarëve në kuadër të institucioneve të Qytetit të Shkupit dhe sa të punësuar shqiptarë janë në pozita udhëheqëse. Tha vetëm se respektohet përfaqësimi adekuat.
 
REXHEP QAMILI