Maqedoni

Zërat për kushte të reja nga Sofja, MPJ: Vetëm protokolli, mohojmë spekulimet

09.08.2022 14:25

Ministria e Punëve të Jashtme hedh poshtë zërat se po përgatiten dokumente të reja të përbashkëta midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë....

Ministria e Punëve të Jashtme hedh poshtë zërat se po përgatiten dokumente të reja të përbashkëta midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Prej atje thonë se informacionet e shfaqura në opinion lidhur me planet dhe prioritetet e qeverisë së Sofjes, janë vetëm çështje e brendshme e vendit fqinj dhe s’kanë të bëjnë me raporte të reja me Shkupin. Dy shtetet sipas MPJ-së janë të obliguar të zbatojnë vetëm detyrimet që kanë dal nga protokolli dypalësh, nën respektimin e parimit të reciprocitetit.
 
“Të gjitha informacionet e shfaqura për rregullimin e brendshëm, mënyrën e organizimit, planet e veprimit dhe prioritetet e qeverisë së re, janë punë e brendshme e Bullgarisë dhe nuk paraqesin rezultat të bisedimeve të ndërsjella. Prandaj, hedhim poshtë të gjitha pretendimet se po përgatiten detyrime të reja  për dy vendet, përtej parimeve të dakorduara në Protokollin e përbashkët, e të cila nënkuptojnë: fillimisht reciprocitet në kuadër të detyrimeve të marra, si dhe autonomi të Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore.”, thonë nga MPJ.
 
Një ditë më parë, ministri i jashtëm në qeverinë kalimtare bullgare Nikollaj Millkov,  tha se dikasteri i tij duhet të organizojë koordinime me institucionet e ndryshme sipas një dokumentit të shkruar dhe detyrime të definuara dhe se një konsolidim të tillë, presin edhe nga Shkupi zyrtar. Millkov vlerësoi se me RMV-në çështet precizohen vetëm atëherë kur në bisedime, për partner do të keni përballë shtetin dhe jo partitë politike, duke potencuar mungesën e konsensusit gjithëpartiak në raport me Bullgarinë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU