KGJO: Dyfish më shumë lindje nga pacientet me “Covid-19”
Numri i lindjeve të pacienteve me Covid është dyfishuar....

Numri i lindjeve të pacienteve me Covid është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, tregojnë të dhënat e Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë.
Drejtoresha Jovanovska potencoi se virusi korona në pamje të parë nuk ekziston, por në realitet është ende prezent.
Këtë vit ka pothuajse tre herë më shumë paciente që kanë nevojë për hospitalizim dhe trajtim në një periudhë të caktuar të shtatzënisë për shkak të infeksionit me “Covid-19”.
Ndryshimi është se pacientet tani nuk kanë nevojë për trajtim në Klinikën Infektive.
“Nuk do të thotë se nëse pasqyra klinike është e lehtë, pacientja nuk do të ketë probleme më tej në shtatzani, nëse infektimi me kovid ndodh në fillim apo në mes të shtatzanisë. Edhe pse kur infektohen në fund, nuk ka aq kohë që fryti të pësojë, megjithatë probleme akusherike kemi shumë shpesh edhe nëse pacientja e kalon pa simptoma sëmundjen. Është sëmundje multisistemore, kjo nga një anë d.m.th që fryti do të marrë qarkullim më të ulët të gjakut dhe do të lindë me peshë më të ulët” – tha Drejtoresha e Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Viktoria Jovanovska.
Edhe lindjet e parakohshme dhe ato cezariane kanë shënuar rritje këtë vit. Doktoresha Jovanovska apelon që të respektohen me përpikëri masat e rekomanduara nga epidemiologët.
“Aty ku ka grumbullime, pa marrë parasysh a është ambient i mbyllur apo i hapur, do të ishte mirë të mbajnë maska. Duhet vetë të jenë të vetëdijshme se mbajnë përgjegjësi edhe për një jetë tjetër apo edhe për dy apo tre të tjera. Duhet shumë kujdes dhe gratë shtatzëna duhet të jenë ato që më së shumti duhet t’i respektojnë të gjitha masat” – u shpreh Viktoria Jovanovska.
Klinika e gjinekologjisë dhe obstetrikës është e vetmja që përkujdeset për gratë shtatzëna me “Covid-19” dhe ku lindin gratë COVID-pozitive. Në këtë Klinikë në korrik për vetëm 15 ditë kanë lindur bebet e tyre 35 paciente me “Covid-19”. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
