Botë

Lufta në Ukrainë, Zelensky: Kurrë nuk heqim dorë nga Krimea

10.08.2022 14:58

Lufta në Ukrainë nisi me Krimenë dhe duhet të mbyllet me çlirimin e Krimesë...

Këto janë fjalët e presidentit Volodimir Zelenski, pak orë pasi një seri shpërthimesh goditën një bazë ajrore ruse  në ishullin e aneksuar, duke vrarë një person.
 
Zelenski nuk i përmendi shpërthimet, por tha se Krimea është e Ukrainës dhe nuk do të hiqnin kurrë dorë prej saj.
 
“Krimea është jona dhe nuk do të heqim kurrë dorë prej saj. Kjo luftë e Rusisë kundër Ukrainës dhe të gjithë Europës, nisi në Krime dhe duhet të mbyllet atje, përmes çlirimit të gadishullit”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky.
 
Shpërthimet në bazën ajrore, Moska: Ishte incident, shpërthyen municionet
 
Baza ushtarake pranë Novofedorivkas në perëndim të Krimesë, është përdorur nga Rusia për të shënjestruar objektivat brenda Ukrainës. Por autoritetet ruse këmbëngul që nuk bëhet fjalë për sulm, por për një incident të shkaktuar nga shpërthimi i municioneve.
 
“Tani situata është nën kontroll, zjarret janë lokalizuar. Janë evakuuar vetëm banorët e shtëpive në afërsi të bazës e po vlerësojmë dëmet”, theksoi guvernatori i Krimesë, Sergej Aksunov. 
 
Sakaq zyrtarët ukrainas thanë se 11 persona ishin vrarë gjatë natës si pasojë e sulmeve ruse në qytetin e Nikopol në rajonin qendror të Dnipropetrovsk dhe një tjetër në atë jugor të Zaporizhias.  
 
SEDAT SELIMI