Raporti i Kombeve të Bashkuara: Sofja të mos diskriminojë komunitetin maqedonas

10.08.2022 16:30

Bullgaria obligohet të respektojë të drejtat e pakicave....

Bullgaria obligohet të respektojë të drejtat e pakicave dhe të sigurojë që askush të mos diskriminohet në bazë të identitetit të tyre të zgjedhur lirisht, thuhet në  raportin e Zyrës së  Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Përkujtojnë se kundër Bullgarisë  ka 14 aktgjykime nga Gjykata e Strasburgut për shkelje të të drejtave të pakicës maqedonase në territorin e saj.

“Raporti i bën thirrje qeverisë bullgare, të sigurojë dhe mbrojë të drejtat e garantuara në dispozitat kushtetuese të vendit për respektimin e të drejtës për vetëvendosje etnike, duke përfshirë të drejtat për lirinë e shprehjes dhe lirinë e asociimit të pjesëtarëve të pakicës maqedonase. Raporti thekson gjithashtu se politikat në lidhje me njohjen dhe të drejtat e grupeve minoritare duhet të vlerësohen kundrejt detyrimeve të shtetit sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut”, thonë nga  Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë raport theksohet se qeveria e Bullgarisë e mohon ekzistencën e pakicës etnike maqedonase, duke pretenduar se pjesëtarët e këtij komuniteti janë në fakt bullgarë etnikë.

Në të thuhet gjithashtu se gjuha maqedonase nuk njihet, as nuk mësohet në shkolla dhe maqedonasit nuk janë të përfaqësuar në Këshillin Nacional për Bashkëpunim për Çështjet Etnike dhe Integruese”.

Zyra e OKB-së, thekson se Bullgaria e ka obligim   që të respektojë  detyrimet që rrjedhin nga ligjet dhe konventat ndërkombëtare për liritë themelore të njeriut. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)