Organizonin lojra fati pa leje, MPB bastis dy lokacione në Shkup
Nga MPB njoftojnë se gjatë bastisjes në dy lokacione në Shkup....

Nga MPB njoftojnë se gjatë bastisjes në dy lokacione në Shkup te një person juridik dhe një person fizik, janë gjetur të holla, dokumente personale, një kornizë e zbrazët e armës, telefona celularë dhe pajisje kompjuterike.
Bastisja është bërë për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale të “organizimit pa leje të lojërave të fatit”.
“Gjatë kontrollit të personit juridik janë gjetur 17 persona të cilët punonin si operatorë për komunikim me lojtarë të cilëve u ofrohen sporte dhe lloje të tjera të basteve dhe lloje të tjera të lojërave të fatit. Janë gjetur dhe konfiskuar 103.545 euro, 400 dollarë e 100 paund, dokumente personale, një kornizë bosh armësh, celularë dhe pajisje kompjuterike të përdorura për kryerjen e krimit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Arrestime në Turqi, 55 mln euro për kriptovaluta, pëfunduan në RMV
Aksioni i Ministrisë së Brendshme pason menjëherë pas një aksioni të madh në Turqi ku u arrestuan 59 persona, pjesë e mafies së basteve “Totobo”, tentakulat e së cilës arrinin deri në Maqedoninë e Veriut.
Policia turke ka konstatuar se për një periudhë rreth një vjeçare drejtuesit e bandës kanë bërë një xhiro prej 55 milionë euro. Transaksionet arrinin nga 10 deri në 15,000 euro dhe më pas ata i përdorën paratë për të blerë kriptovaluta që përfunduan në Maqedoninë e Veriut.
Por nga MPB nuk japin përgjigje nëse aksioni në Shkup ka lidhje me arrestimet në Turqi. (Fitim Kryeziu, TVM2)
