Botë

Vuçiq, skeptik për takimin me Kurtin në Bruksel

11.08.2022 16:40

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehet skeptik sa i përket arritjes së ndonjë rezultati në takimin e radhës...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehet skeptik sa i përket arritjes së ndonjë rezultati në takimin e radhës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me 18 gusht. Takimi Kurti-Vuçiq do të mbahet me ndërmjetësim të shefit të  diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.
 
“Po shkoj në Bruksel për të biseduar, nuk shpresoj për ndonjë rezultat, por po shkoj për bisedime. Atyre nuk u intereson se çfarë do të thotë Beogradi, kështu që unë as nuk e di se për çfarë është dialogu. Ata që deklaruan se duhet të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, më lejoni që t’i pyes ata se a po bëjnë shaka? Çfarë kemi negociuar?”, u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 
 
Ftesa nga zrtarët evropjan për takim u bë në kohën kur tensionet u rritën në veri të Kosovës, pasi më 31 korrik dhe 1 gusht u vendosën barikada për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin.
 
Qeveria e Kosovës u pajtua ta shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, në koordinim me SHBA-të. Kryemisnitri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se Qeveria planifikon t’i zbatojë vendimet e saja më nji shtator duke bërë përpjekje që të evitohen tensionet e 31 korrikut. 
 
“Ne do të bëjmë gjithçka që ato të evitohen, por natyrisht që varet sa faktorët ndërkombëtarë do të arrijnë ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj shtetit tonë, ndaj rendit tonë kushtetues dhe ndaj lirisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka thënë kryemisnitri i Kosovës.    
 
Takimi i 18 gushtit Kurti-Vuçiq do të jetë takimi i parë mes dy liderëve pas më shumë se një viti. Për herë të fundit në Bruksel ata u takuan në korrik të vitit 2021.
 
GYLTENE SINANI