Botë

Zjarre në Greqi, autoritetet evakuojnë banorët nga zona e Koinirës

12.08.2022 13:03

Brigadat e zjarrfikësve grekë , prej mbrëmjes të së mërkurës po luftojnë me flakët...

Brigadat e zjarrfikësve grekë , prej mbrëmjes të së mërkurës po luftojnë me flakët, në ishullin verior të Egjeut, Thassos, pas një zjarri që shpërtheu në zonën pyjore Lefki.
 
Zjarri ka vazhduar të jetë jashtë kontrollit për të dytën ditë rresht, ndërsa mëngjesin e së enjtes është dhënë urdhër evakuimi i zonës Koinira me një mesazh telefonik nga numri i rasteve urgjente 112.
Më herët kanë mbetur të plagosur lehtë dy zjarrfikës vullnetarë, 26 dhe 44 vjeç, të cilët janë dërguar në qendrën shëndetësore lokale.
 
190 zjarrfikës po operojnë me pesë grupe të reparteve të këmbësorisë dhe 33 mjete.
 
Shtatë avionë tip Canader dhe gjashtë helikopterë janë mobilizuar për shuarjen e zjarrit nga ajri. Kontribut po japin edhe zjarrfikës vullnetarë si dhe njësi të ushtrisë.
 
Sipas Buletinit Emergjent të parashikimit të Motit nga Shërbimi Meteorologjik Kombëtar për tre ditët e ardhshme parashikohet një mot i paqëndrueshëm në Greqinë qendrore dhe veriore, kryesisht në orët e mesditës dhe pasdites, me reshje të dendura shiu dhe stuhi,  të cilat do të shoqërohen me frekuencë të lartë rrufeje dhe rrjedhimisht rrezik zjarri.
 
Shërbimi zjarrfikës bën me dije se më shumë se 3800 zjarre në pyje kanë shpërthyer në vend që nga fillimi i sezonit të zjarreve  e deri më sot, nga të cilat 361 në javën e fundit dhe mbi 50, në 24 orët e fundit.