Botë

Francë, luftë me flakët, mbi 10 mijë të evakuuar

12.08.2022 13:41

Flakët gjigante në Gironde, në Francë, kanë shkatërruar shtëpitë e kanë detyruar evakuimin e mbi 10 mijë banorëve....

Flakët gjigante në Gironde, në Francë, kanë shkatërruar shtëpitë e kanë detyruar evakuimin e mbi 10 mijë banorëve. Zjarrfikësit thonë se ishte hera e parë që shihnin një zjarr të tillë, banorët janë të tmerruar.
 
“Është një zjarr që përhapet jashtëzakonisht shpejt, që përfiton nga ndryshimi i kushteve klimatike e ndryshon drejtimin dhe na detyron të ndryshojmë strategjinë tonë operacionale.”, tha Mathieu Jaumain, zjarrfikës.
 
“Ne mendojmë se jemi të fortë, por jemi të pafuqishëm dhe do të ishim të humbur nëse nuk do të kishte kaq shumë njerëz pas ndihmës.”, tha një banor i zonës.
 
Austria, Gjermani, Greqia, Polonia dhe Rumani po i vijnë në ndihmë Francës në luftën kundër zjarreve. Edhe vendet e tjera europiane po përballen me një valë vdekjeprurëse zjarresh, të ushqyera nga temperaturat rekord dhe thatësira. Më shumë se 1 mijë vdekje i janë atribuuar nxehtësisë në Portugali dhe Francë. 
 
Në Greqi autoritetet evakuuan banorët në Koinira. Vetëm në 24 orët e fundit atje kanë shpërthyer mbi 50 vatra të reja.
 
Në Britaninë e Madhe është aktivizuar alarmi portokalli për të nxehtin ekstrem, ku gjatë 4 ditëve të ardhëshme termometri pritet të arrijë 37 gradët.
 
SEDAT SELIMI