Mali i zi, tre ditë zije për masakrën në Cetinje
Qeveria e Malit të Zi shpalli tre ditë zie....

Qeveria e Malit të Zi shpalli tre ditë zie në gjithë territorin e vendit, pas tragjedisë në Cetinjë përkatësisht në lagjen Medovina ku mbetën të vrarë 11 persona, mes tyre edhe sulmuesi.
Në mesin e vrarëve janë edhe dy fëmijë. Policia malazeze ka bërë të ditur se rreth orës 15:30 të 12 gushtit, 34-vjeçari me inicialet V.B. nga Cetinja ka qëlluar me armë në drejtim të një familjeje, anëtarët e të cilës ishin qiramarrës në shtëpinë e tij, në vendbanimin Medovina.
Në këtë rast, duke përdorur armën e zjarrit – pushkë gjuetie, me të cilën ka shkrepur mbi 200 plumba, u ka marrë jetën dy fëmijëve, njëri tetë dhe tjetri 11 vjeç dhe ka plagosur nënën e tyre, e cila vdiq në spital nga plagët e marra.
Më pas ai ka dalë dhe ka qëlluar banorët të kësaj lagjeje me të njëjtën armë zjarri, me ç’rast u ka marrë jetën shtatë personave të tjerë, ndërsa gjashtë të tjerë i ka plagosur, ka bërë të ditur policia. Gjashtë persona janë duke u trajtuar në spital, tre prej të cilëve janë në rrezik për jetë thonë nga Spitali në Cetinje.
“Në spital kemi konstatuar vdekjen e dy personave një mashkull dhe një femër, ndërsa dy femrave dhe një mashkulli pasi u është dhënë ndihmë mjekësore janë dërguar në qendrën klinike në Podgoricë. Dy persona janë hospitalizuar në spitalin tonë dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Një pacient me lëndime të lehta është lëshuar për kurim shtëpiak” – tha Ivan Ivanoviç, mjek në spitalin në Cetinje.
Masakra në Cetinje do të mund të ishte edhe më e madhe, nëse vrasësi Vuk Borilloviç nuk do të vritej nga fqiu i tij Nenad Kallugjeroviç. Këtë e ka konfirmuar prokuroria e Malit të zi. Në përputhje me vendimin e Qeverisë malazeze, ditë zie janë e shtuna, e diela dhe e hëna. (Gyltene Sinani, TVM2)
