Marrëveshja kornizë e Ohrit, 21 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes
Para 21 viteve, në Ohër, kryetarët e katër partive më të mëdha politike të atëhershme....

Para 21 viteve, në Ohër, kryetarët e katër partive më të mëdha politike të atëhershme, së bashku me presidentin Boris Trajkovski dhe përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së e nënshkruan Marrëveshjen kornizë e cila e parandaloi eskalimin e mëtutjeshëm të konfliktit dhe solli paqe dhe stabilitet si parakushte për zhvillim të mëtutjeshëm demokratik të shoqërisë së Maqedonisë së Veriut, shkroi presidenti Stevo Pendarovski në porosinë e tij me rastin e shënimit të 21 viteve të nënshkrimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit.
Përfitimet kyçe nga marrëveshja, siç thekson presidenti Pendarovski, ishin ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe karakteri unitar i shtetit.
“Në 21 vitet e shkuara, mes tjerash dhe përmes implementimit të Marrëveshjes kornizë u bëmë anëtare e NATO-s, ndërkaq morëm status të kandidates dhe i hapëm negociatat me Bashkimin Evropian. Në atë proces ndërtuam model të demokracisë multietnike funksionale e cila i ruan paqen dhe stabilitetin dhe vendosi standarde më të larta për të drejtat e bashkësive”, shkroi Pendarovski.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi me rastin e 21 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit ka uruar të gjithë qytetarët e vendit.
Grubi ka cilësuar Marrëveshjen e Ohrit gurëthemel të të gjitha të arriturave demokratike të vendit dhe nismëtare të kapitullit të rrugëtimin europian të vendit, duke thënë se nga barazia e etabluar nuk ka humbur askush, por kanë përfituar të gjithë popujt në çdo aspekt të mirëqenies shoqërore"Sot të gjithë bashkë dëshmojmë mbi revolucionin e transformimit progresiv që shkaktoi ky akt juridik në rregullimin e shtetit duke etabluar vlerat e domosdoshme të paqes, barazisë, demokracisë konsensuale dhe kohezionit social."
Ndërkohë nga LSDM kanë theksuar se Marrëveshja e Ohrit solli paqen dhe hapi dyert për integrimin evropian të vendit.
"Marrëveshja kornizë, e nënshkruar sot 21 vjet më parë në Ohër, i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe hapi fillimin e një kapitulli të ri në jetën politike të Maqedonisë. Marrëveshja Kornizë e Ohrit është dokument i rëndësishëm, pjesë integrale e historisë së vendit, marrëveshje që solli paqe, përfaqësim të drejtë të komuniteteve në jetën shoqërore, bashkëjetesë në karakterin multietnik të shoqërisë maqedonase”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE theksojnë se Marrëveshja e Ohrit solli paqe, por ajo që nuk mundi ta parashikonte krimin e BDI-së që ndodhi më pas.
Nga kjo parti akuzojnë se BDI për 20 vite me rradhë, një elitë e njejtë partiake po vjell popullin e saj, ka theksuar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov, në pyetje të gazetarëve lidhur me organizimin e festës me rastin e 21 vjetorit të Marrëvjeshjes kornizë.
“Maqedonia ka Marrëveshje kornizë, por nuk ka ardhmëri evropiane. Ka marrëveshje kornizë, por Tetova nuk ka ujë për pije, e Haraçina kanalizim. Maqedonia ka marrëveshje por të rinjët shqiptarë dhe maqedonas po largohen nga vendi. Ky është dështim i pushtetit dhe nëse nisemi prej kësaj nuk ka vend për festë, por për përgjegjësi” – tha Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
Nga kjo parti akuzojnë Grubin se organizon festa private të cilat nuk janë në dobi të qytetarëve. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
