Shqipëria, KE të shfuqizojë akuzat për trafikim organesh
Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës...

Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rishikojë Rezolutën 1782 dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërise, Edi Rama në një postim në rrjetin social, Facebook. “Në dritën e zhvillimeve të kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe falë angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë, raporti famëkeq i Dick Marty-t nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi”, shkruan kryeministri Rama.
Kuvendi i Shqipërisë më 21 korrik ka votuar unanimisht me 125 vota të deputetëve një rezolutë, përmes së cilës u zotua se do t’i kërkojë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të akuzave të ngritura nga raporti i Dick Martyt.
