Besimi: Ulja e ekonomisë gri, komponent themelor i reformave tatimore

14.08.2022 18:14

Me anë të një kolumne Minsitri i Financave, Fatmir Besimi....

Me anë të një kolumne Minsitri i Financave, Fatmir Besimi, ka sqaruar edhe një here reformën e paralajmëruar tatimore.

Në opinionin publik u aktualizua diskutimi për konceptin e reformës tatimore gjatë javës së kaluar. Përndryshe, konsultimet kanë filluar që në vitin 2020, paralelisht me analizat e performancës së sistemit tatimor dhe përmirësimin e tij.

Koncepti i reformës tatimore i referohet në esencë rritjes së vlerës së arkëtuar të tatimeve, kryesisht nëpërmjet rritjes së fushëveprimit, resprektivisht rishikimit të trajtimit preferencial të kategorive të caktuara, por edhe vendosjes së më shumë obliguesve tatimorë në sistem, resprektivisht uljes së ekonomisë joformale, thekson Besimi.

Sipas tij arkëtimi i detyrimeve në vendin tonë është shumë më i ulët se mesatarja evropiane, po ashtu jemi edhe pas rajonit.

Në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2020, ekziston një hendek i konsiderueshëm ndërmjet pjesëmarrjes së të hyrave nga tatimet dhe kontributet.

Në vitin 2008 të hyrat e përgjithshme tatimore dhe kontributet sociale kanë pjesëmarrje prej 38.4% në PBB të BE-27, ndërsa Maqedonia e Veriut ka pjesëmarrje prej 27.7%.

Ky hendek, gjatë viteve u thellua edhe më tej. Në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, gjithashtu bindshëm kemi realizim më të ulët. Pjesëmarrja e të hyrave tatimore në PBB në vendin tonë është edhe më e ulët, në vitin 2020 ishte 16.1%.

“Reforma tatimore nuk është zgjidhje ad hoc për rritje të menjëhershme të të hyrave të buxhetit në kushte krize”, thekson mes tjerash minsitri Besimi.