Botë

42 shtete kërkesë Rusisë: Tërhiq forcat ushtarake nga Zaporizzhya

15.08.2022 09:35

42 vende, përfshirë Maqedoninë e Veriut...

42 vende, përfshirë Maqedoninë e Veriut,  nënshkruan deklaratën përmes së cilës i bëjnë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga centrali bërthamor i Zaporizhjas.

“Është e pamohueshme që pushtimi i Rusisë dhe prania e saj e vazhdueshme në ndërtesat bërthamore, rrit ndjeshëm rrezikun e incidenteve bërthamore. I bëjmë thirrje Federatës Ruse që menjëherë të tërheqë trupat dhe personelin e saj të paautorizuar nga centrali i Zaporizhjas dhe të gjithë operatorët dhe autoritetet ukrainase të mund të rinisin përgjegjësitë e tyre sovrane brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombtarisht”, thuhet në deklaratë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fundjavës paralajmëroi se grantimet e fundit në central kanë rritur rrezikun e rrjedhjes së rrezatimit.

Rusia nuk e mohon se trupat e saj gjenden në central, por hedh poshtë pretendimet se ka granatuar këtë zonë.

Moska akuzon forcat ukrainase se kanë goditur zonën me artileri, pretendime që mohohen nga Kievi.

Situata në central ka rritur alarmin në Kombet e Bashkuara dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore. Ata kërkojnë që  ekspertët ndërkombëtarë të lejohen ta vizitojnë centralin.