Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, VMRO konsulton partnerët e koalicionit

15.08.2022 15:50

Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka ftuar partnerët e koalicionit për të rikonfirmuar...

Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka ftuar partnerët e koalicionit për të rikonfirmuar se as deputetët e tyre nuk do të përkrahin ndryshim kushtetuese. Konsiderojnë se me kornizën negocuese për anëtarësim në BE, pjesë e së cilës janë edhe ndryshimet kushtetuese, maqedonasit po asimilohen, përkatësisht po bullgarizohen. Me këtë arsyetim, VMRO rikonfirmon qëndrimin kundër, si dhe angazhimin për të bllokuar këtë process.
 
“Në këto takime presim konfirmim të përkrahjes për deklarimin e qytetarëve në referendum sa i përket kornizës negocuese, në kontekst me marrëveshjen me Bullgarinë; reafirmin e përkrahjes dhe qëndrimit në koalicion me VMRO DPMNE-në. Dua të theksoj se, i gjithë grupi parlamentar qëndrojmë pas deklaratës së kryetarit se ndryshimet kushtetuese, nën diktatin bullgar, nuk do të lejojmë të ndodhin dhe përkrahje për këtë presim edhe nga partnerët e koalicionit.”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
   
LSDM: Komisioni rrëzoi pretendimet e VMRO-së 
 
VMRO-DPMNE dhe Mickovski duan të prishin procesin e zgjidhjes së çështjeve të hapura me Bullgarinë dhe anëtërasimin në BE, u kundërpërgjigjën nga LSDM. Sipas tyre, asimilim dhe bullgarizim të maqedonasve nuk do të ketë dhe këtë e ka konfirmuar edhe Komisioni i përbashkët i ekspertëve në rekomandimet e fundit, thonë nga partia e Kovaçevskit.
 
 “Ranë në ujë të gjitha gënjeshtrat e Hristijan Mickovskit dhe VMRO DPMNE-së. Sot u bë e qartë se në ato rekomandime nuk ka asgjë kontestuese, asgjë të fshehur, s’ka histori sipas kornizës bullgare siç gënjente Mickovski dhe VMRO-DPMNE. Edhe një herë u pa se këta deshën të prishin procesin e zgjidhjes së çështjeve të hapura me Bullgarinë. Kjo është antishtetërore, e papërgjegjshme dhe veprim jo serioz.”, tha Darko Kaevski nga LSDM.
 
Një ditë më parë, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski deklaroi se do të dorëhiqet nga politika nëse një deputet i vetëm i koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE do të përkrahte ndryshimet kushtetuese. Sipas pushtetit, këto ndryshime pritet të ndodhin në vjeshtën e vitit 2023. Deri atëherë do të vazhdoje dialogu politik për arritjen e konsensusit.    
 
SHPËTIM NUREDINI