Lufta në Ukrainë, shpërthim në depon e armëve në Krime
Të tjera shpërthime tronditën këtë të martë Krimenë....

Të tjera shpërthime tronditën këtë të martë Krimenë e aneksuar nga rusët. Pamjet tregojnë atë që sipas mediave lokale është një depo armësh në fshatin e Maiskoye, të përfshirë nga tymi e flakët.
Ministria e Mbrojtjes në Rusi tha se po punon për të zbardhur shkaqet e shpërthimit, e deklaroi se nuk ka viktima apo të plagosur.
Autoritetet lokale thonë se banorët e zonës janë evakuuar. Ky është shpërthimi i dytë brenda pak javësh që godet gadishullin e pushtuar nga rusët.
Zaporizhya, frikë për tragjedi bërthamore në central
Vëmendja më e madhe vijon megjithatë të jetë rreth centralit të Zaporizhias.
Moska dhe Kievi vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën për bombardimet pranë zonës. Në videomesazhin e fundit, Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi se bota do të humbasë ndaj terrorizmit dhe do t’i dorëzohet shantazhit bërthamor, nëse nuk vepron për të parandaluar një aksident në centralin më të madh të Europës.
“Rusia nuk i ka ndalur veprimet shantazhuese në centralin bërthamor dhe rreth tij. Bombardimet provokuese vijojnë. Dhe nëse bota nuk vepron tani me forcë dhe vendosmëri për të mbrojtur centralin bërthamor, do të thotë se ajo po humbet ndaj terrorizmit dhe shantazhit bërthamor” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se ka kapacitetin logjistik dhe të sigurisë për të ofruar asistencë për një vizitë të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore në centralin e Zaporizhias.
Por Moska ka vendosur kushte, duke thënë se një mision i mundshëm nuk mund të kalojë përmes Kievit pasi do ishte e rrezikshme. Teksa situata vazhdon të tensionohet, Parlamenti i Ukrainës ka zgjatur gjendjen e luftës dhe mobilizimin e përgjithshëm në vend edhe për 90 ditë. (Migena Gorenca, TVM2)
