Botë
“SHBA kërkon të zgjasë luftën”, Putin: Po nxit konflikte të tjera rreth botës, edhe në Tajvan
16.08.2022 17:08
Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Uashingtonin se po përpiqet të zgjasë konfliktin në Ukrainë...

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Uashingtonin se po përpiqet të zgjasë konfliktin në Ukrainë dhe se po nxit tensionet rreth botës përfshirë Tajvanin. Në fjalimin e regjistruar për konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, Putin e përshkroi vizitën e kryetares së dhomës së përfaqësuesve Nancy Pelosi si një provokim tërësisht të planifikuar.
“Përpjekja e rrezikshme e Shteteve të Bashkuara në Tajvan nuk është vetëm udhëtimi i një politikaneje të papërgjegjshme, por pjesë e një strategjie të qëllimshme të Shteteve të Bashkuara për të destabilizuar situatën e për të shkaktuar kaos në rajon dhe botë. Është një demonstrim i mungesës së respektit për sovranitetin e vendeve të tjera. R shohim këtë si një provokim të mirëplanifikuar”, tha Putin.
Në fjalimin e tij, Putin përmendi gjithashtu paktin e sigurisë Aukus, mes Australisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara si dëshmi e përpjekjeve të perëndimit për të ndërtuar një bllok të stilit të NATO-s, në rajonin e Azisë së Paqësorit. “Po shohim se Perëndimi po përpiqet të zgjerojë në rajonin e Azisë së Paqësorit, sistemin e ngjashëm me NATO-n në Europë. Për këtë qëllim, po krijohen aleanca luftëdashëse ushtarako-politike të tilla si AUKUS”, tha Putin.
Numri një i Kremlinit shtoi me tej se perëndimi ka nevojë për konflikte për të ruajtur hegjemoninë e vet, dhe për këtë arsye sipas tij, e ka kthyer Ukrainën në mish për top. Situata në Ukrainë sipas Putin, sugjeron se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të zgjasin konfliktin.
