Botë

Liz Cheney humbet në primaret e Wyoming, akuzon Trump

17.08.2022 11:01

Votuesit në shtetin amerikan të Wyoming kanë rrëzuar ne zgjedhjet paraprake kongresmenen Liz Cheney...

Votuesit në shtetin amerikan të Wyoming kanë rrëzuar ne zgjedhjet paraprake kongresmenen Liz Cheney, një nga kritiket më të forta republikane ndaj ish-presidentit Donald Trump.
 
Vajza e ish-zëvendëspresidentit Dick Cheney, u mund nga një kandidate e sapoardhur në politike,  Harriet Hageman. Cheney ishte një nga dy anëtarët e vetëm të Partisë Republikane që iu bashkua komitetit të Kongresit për hetimin e Trump dhe e sulmoi ish shefin e Shtëpisë së Bardhë për trazirat ne Kapitol.
 
Kongresmenia me tre mandate ishte dikur një yll republikan në rritje.
 
Në fjalimin e saj zonja Cheney bëri të qartë se nuk do të hiqte dorë nga kritikat e saj ndaj Trump, i cili ka lënë të kuptohet se mund të kandidojë përsëri për Shtëpinë e Bardhë në 2024.
 
“Unë kam thënë që nga trazirat e vitit të kaluar në Kapitol, më 6 janar, se do të bëj gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që Donald Trump të mos jetë më kurrë pranë Zyrës Ovale, dhe e kam parasysh këtë”, tha ajo. 
 
"Shtetet e Bashkuara nuk mund të qeverisen nga një turmë në mediat sociale" tha Cheney në fjalimin e saj në Wyoming pas humbjes dhe akuzoi Trump për publikimin e emrave të agjentëve të FBI-së që morën pjesë në operacionin e kërkimit në Florida. “E bëri me qëllim dhe keqdashje”, sulmoi ajo.
 
Cheney më pas citoi Abraham Lincoln i cili humbi zgjedhjet e Kongresit, por më pas "fitoi më të rëndësishmet". “Tani fillon puna e vërtetë”, tha deputetja, duke cituar fjalët e ish-presidentit amerikan.
 
Ish presidenti tha: "Liz Cheney duhet të ketë turp për veten, mënyrën se si veproi, dhe fjalët dhe veprimet e saj të neveritshme ndaj të tjerëve.
 
"Tani ajo më në fund mund të zhduket në thellësitë e harresës politike, ku, jam i sigurt, do të jetë shumë më e lumtur se sa është tani", shkruan Trump ne social Truth.
 
Zgjedhjet paraprake në Wyoming këtë herë terhoqen vemendjen e medias pasi  shihen si një provë  per mbeshtetjen ndaj Donald Trump. Deri tani katër nga kritiket e Trump janë mundur nga kandidatët e tij të zgjedhur në votimet paraprake në shtetet e Uajoming, Uashington, Miçigan dhe ne Karolinën e Jugut. 
 
Zgjedhjet paraprake republikane jane shnderruar në beteja të hidhura në të cilat besnikëria ndaj ish-Presidentit eshte faktori qendror.