Botë

Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, Zelensky qytetarëve: Larg objekteve ushtarake

17.08.2022 13:30

Vazhdon frika rreth situatës në centralin bërthamor në Zaporizhya....

Vazhdon frika rreth situatës në centralin bërthamor në Zaporizhya. Një tjetër granatë ka shpërthyer vetëm pak metra larg një kontenieri me mbetje bërthamore. Luftimet nuk ndalen rusët kanë bombarduar vendbanimet e civilëve në zonën e Harkivit, teksa po tentojnë të përparojnë në rajonin lindor të Donjeckut. Sulme ajrore ka pasur edhe në rajonin e Harkivit,  e në shumë zona të tjera. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje qytetarëve në territoret e pushtuara nga Rusia që të mos qëndrojnë afër objekteve ushtarake ruse. 
 
“Ju lutem mos ju afroni objekteve ushtarake të Ushtrisë Ruse dhe ato vende ku ata ruajnë municione dhe pajisje, apo ku e kanë bazën. Arsyet për shpërthimet në territorin e okupuar mund të jenë të ndryshme. Por të gjitha kanë të njëjtin qëllim: shkatërrimin i logjistikës së tyre, armatimit, ushtrisë dhe pajisjeve tjera.”, tha presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky. 
 
Por rusët akuzojnë ukrainasit për sulmet në centralin më të madh bërthamor të Europës. Fajësojnë sabotatorët ukrainas se po dëmtojnë logjistikën ushtarake dhe linjat e furnizimit në territoret e kontrolluara nga Rusia.
 
Zgjidhja e konfliktit në Ukrainë, Gueterres takon Zelenskyn dhe Erdoganin në Lviv
 
Sekretari gjeneral i OKB-së, Antonio Gueterres, të enjtën do të takohet në Lviv me presidentin Volodymyr Zelensky dhe homologun turk Rexhep Tajip Erdogan për të diskutuar nevojën për një zgjidhje politike të këtij konflikti. Më pas do të vizitojë qytetin port të Odessa– një nga tre portet që përdoren në marrëveshje për eksportin e grurit – përpara se të niset për në Turqi. Nga ky port janë nisur edhe 4 anije të tjera me drithë. Teksa  përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës vazhdojnë, agjencia bërthamore e Ukrainës -Energoatom, raportoi një sulm të madh kibernetik në faqen e saj të internetit, por tha se operacionet e saj nuk ishin ndërprerë.
 
SEDAT SELIMI