Maqedoni

ASH: Tetova nuk ka çerdhe të mjaftueshme, fëmijët tetovarë diskriminohen

17.08.2022 14:39

Kandidatët e Aleancës për Shqiptarët që garojnë për Këshillin Komunal të Tetovës...

Kandidatët e Aleancës për Shqiptarët që garojnë për Këshillin Komunal të Tetovës, kanë ngritur sot shqetësimin për numrin e vogël të çerdheve në Tetovë. Ata thonë se fëmijët tetovarë diskriminohen që në hapat e parë, ndërsa nënat nuk mund të punojnë. Nga ASH thanë se në prioritetet e tyre është hapja e çerdheve në të gjitha zonat e Tetovës si dhe rritja e kapaciteteve të çerdheve aktuale.
 
“Komuna e Tetovës është ndër komunat me numër më të vogël të çerdheve, me kapacitet të pamjaftueshëm për kujdesin e fëmijëve në moshën parashkollore. Kjo gjendje paraqet problem të madh jo vetëm për fëmijët të cilëve u mohohet një e drejtë që nga hapat e parë të jetës, por edhe për prindërit dhe familjet tetovare. Për pasojë, shumë gra, nëna të reja nuk mund të punësohen pasi që duhet vetë të kujdesen për fëmijët, e të mos flasim për zhvillimin e tyre në karrierë. Më të anashkaluara në këtë sferë janë zonat periferike, si dhe fshatrat e malësisë së Tetovës të cilat janë anashkaluar krejtësisht, si nga pushteti lokal ashtu dhe nga pushteti qendror.”, theksoi Arlinda Aliti, kandidate e ASH për këshilltare.